Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas publikimit të një lajmi se Qeveria pritet të ekzekutoj pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një postimi në Facebook ai tha se “Lajmet e rreme nuk kalojnë!”. Dhe për këtë ai ka fajsuar opozitën që nuk votuan buxhetin për vitin 2026.
“Paga e 13-të është e paraparë në ligjin e buxhetit për vitin 2026. Por siç e dinë të gjithë, ligjin e buxhetit për vitin 2026 nuk e votuan PDK/LDK/AAK-Nisma. Është për keqardhje që në mungesë të një programi të mirëfilltë, krejt çka u ka mbetur opozitës dhe portaleve të tyre, janë rrenat e vazhdueshme, me shpresën se diçka mbetet, dhe kësisoj gjenerojnë pakënaqësi ndaj qeverisë”, ka shkruar Murati.
Tutje ai ka theksuar se “për çfarëdo lajmi a vendimi, Qeveria çdoherë i ka njoftuar qytetarët në mënyrë transparente”.
“Prandaj nëse shihni çfarëdo njoftimi që ka të bëjë me Qeverinë, mos u besoni pa e verifikuar fillimisht nëse diçka e tillë është thënë nga kanalet zyrtare të Qeverisë”, deklaroi Murati. /Gazeta Enigma/
