Largim i ri nga AKI-ja, drejtori Petrit Ajeti ia ndërpret kontratën bashkëshortes së njeriut të Thaçit

Largim i ri nga AKI-ja, drejtori Petrit Ajeti ia ndërpret kontratën bashkëshortes së njeriut të Thaçit

Presidentja, Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë marrë vendim për ta shkarkuar Vlora Hysenin nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Por, shkarkimi i Hysenit nuk ishte largimi i vetëm sot prej këtij institucioni.



Kontrata me AKI-në sot i është shkëputur edhe bashkëshortes së ish-këshilltarit të Thaçit, Adil Behramaj, i cili vazhdon të jetë ndër kritikët më të mëdhenj të kryeministrit Kurti.

Këtë për Insajderin e ka konfirmuar vetë Behramaj, i cili përmes telefonit ka thënë se veprimin e drejtorit të ri e sheh si hakmarrje politike ndaj tij të porositur nga Osmani dhe Kurti.

“Po, sot i është shkëputur kontrata edhe bashkëshortes sime. E shoh si veprim diskriminues, tejmase të ulët dhe si hakmarrje politike ndaj meje”, ka thënë Behramaj për Insajderin, duke shtuar se kjo e tregon vetëm mendësinë e tyre qeverisëse.

Ish-këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj, ka preferuar të rezervohet në komentimin e rastit për shkak të ndjeshmërisë së institucionit, duke thënë se do të ndiqet vetëm rruga ligjore në institucionet e drejtësisë.

“Në krye të atij institucioni ne përkohësisht mund t’i kemi dy servilë politikë, që bëjnë gjithçka për t’i hyrë në qejf Osmanit dhe Kurtit, por institucioni duhet të ruhet, prandaj duke respektuar ndjeshmërinë, me rastin do të merren vetëm institucionet përgjegjëse”, ka thënë Behramaj.

Në nenin 2 të Ligjit për AKI-në, paragrafi 2.4, thuhet se AKI-ja nuk diskriminon asnjë person mbi çfarëdo baze, përfshirë këtu edhe mendimin politik. Ndërsa, në paragrafin 2.5 të këtij neni, thuhet se AKI-ja respekton parimet e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore, parimet tjera relevante të pasqyruara në instrumentet ligjore të njohura ndërkombëtarisht dhe kryen aktivitetet e veta në pajtueshmëri me to./Gazeta Enigma/

Related Articles