Është duke vazhduar largimi i qytetarëve nga Kosova, e kjo më së miri dëshmohet më rënien e numrit të nxënësve nëpër shkolla.
Sipas Agjencisë së Statistikave, në shkollimin fillorë të mesëm të ulët në Kosovë në vitin shkollor 2008-2009 ishin 319.154 nxënës, kurse në vitin shkollor 2020-2021, numri i nxënësve është 229.664, ( 28% më pak nxënës së para 12 vjetëve).
Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës, përmes një reagimi publik thotë së këto statistika janë alarmante.
“Sipas Agjencisë së Statistikave në shkollimin fillor dhe mesëm të ulët në Kosovë në vitin shkollor 2008-2009 ishin 319,154 nxënës.Ndërsa 12 vjet më vonë, në vitin shkollor 2020-2021, ky numër ka rënë në 229,664 nxënës. Kështu del se sivjet i kishim 89,490 nxënës (ose 28%) më pak se 12 vjet më parë. Gjithsej 80 shkolla të këtij niveli janë mbyllur për të njëjtën periudhë (2008-2009: 972 shkolla kundrejt 2020-2021: 892 shkolla), thuhet në reagim.
Tutje, në reagim thuhet së vetëm në vitin e fundit ishin mbi 8 mijë nxënës më pak në shkolla.
“Këto statistika do të duhej të ishin alarmante për çdo vend e qeverisje. Ikja nga Kosova vazhdon me ritëm të frikshëm edhe pa liberalizimin e vizave. Vetëm vitin e fundit ishin 8,295 më pak nxënës në bankat shkollore të këtij niveli”, thuhet në reagim.
Ndryshe, ikja e qytetarëve nga Kosova po ndodh kryesisht për shkak të gjendjes ekonomike. E vendi ku shumica e kosovarëve kanë gjetur vetën është shteti i Gjermanisë, kjo për shkak të kushteve që ofron ky shtet, ku qytetarët pajisen me viza të punës dhe më pas atyre pas një kohë iu lejohet të marrin edhe familjet e tyre.