Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, nga nesër do të jetë deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovë
Këtë e ka konfirmuar vetë deputeti Humolli në një prononcim për lajmi.net, ku ka listuar edhe arsyet pse ka ardhur deri tek ky vendim.
“Arsyet janë se Qeveria aktuale nuk i sheh gjërat qysh i shoh unë, në zhvillimin e vendit dhe mbajtjes së fjalës në raport me qytetarët, mendoj se ka dalë prej atyre gjërave andaj nuk mund të jem më pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes”, ka thënë Humolli.
Ai ka bërë të ditur se të gjitha kërkesat e tij i ka adresuar me kohë edhe tek kryetari i partisë, aktualisht edhe kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, por që nuk ka parë ndonjë reflektim.
“Ka gati që 1 vit që i kom adresu dhe nuk ka ndryshu kurgjo. Kur kam hyrë në listën e Vetëvendosjes kam pasur kërkesat e mija për zhvillimin e bujqësisë për shkak që banorët e fshatrave po largoheshin nga fshatrat dhe kam pasur për qëllim që të investohet në bujqësi që mos të ndodh migrimi i qytetarëve nga fshatrat. Nuk ka ndodh kjo ashtu siç jemi marrë vesh kur kam hy në listë. Kam kërku mos me pas acarime mes shqiptarëve, nuk është arritur kjo përkundrazi e kanë acaru gjendjen, na kanë qit në pozitë të keqe në raport me bashkësinë ndërkombëtare në kohën kur ne është dashur të jemi shumë unik si shqiptar edhe me shtetin shqiptar edhe brenda Kosovës. Gjithashtu edhe për kërkesën që kam pasur për me i garantu një shumice të qytetarëve të Kosovës, për shkak që shqiptarët e Kosovës kanë jetuar në robëri për një kohë të gjatë, ata kanë nevojë me pa kujdesin e shtetit sado që ka qenë diçka shumë simbolike vetëm një shujtë minimale me jau garantu qytetarëve, as këta se ka pa të arsyeshme me fut në buxhetin e Kosovës”, ka deklaruar Humolli.