Fundori Larry Thomas e ka të freskët ndjenjën e të qenit kampion. E një ndjenjë të tillë po dëshiron ta përjetojë edhe me fanellën e skuadrës së Pejës.
Në edicionin 2020/21, Thomas udhëhoqi ekipin Thor Thorl drejt titullit të kampionit të Islandës. Suksesin e njëjtë ai po synon ta përsëritë në Superligën e Kosovës. Basketbollisti amerikan beson se Peja ka ekip për ta fituar titullin e kampionit.
Peja është kualifikuar në serinë finale të plejofit, në të cilën po përballet me skuadrën e Trepçës. Në ndeshjen e parë Thomas ishte më efikasi te Peja me 23 pikë të shënuara. Por Peja nuk arriti ta evitojë humbjen në Mitrovicë me shifrat 94:86, të mërkurën. Ekipi që shënon tri fitore do ta mbyllë edicionin me titullin e kampionit.
Thomas është i bindur se seria do të barazohet të dielën kur Peja e pret Trepçën në palestrën “Karagaçi” (17:00).
“Çdo ndeshje në këtë seri është e vështirë, sepse është finale. Secili ekip beson se do ta fitojë titullin dhe për këtë arsye nuk do të jetë aspak lehtë. Në secilën ndeshje do të futemi vetëm për fitore dhe me të njëjtin mentalitet do të dalim edhe të dielën në parket”, është shprehur Thomas në një intervistë për KOHËN. “Shpresoj që të shpallemi kampionë pa shkuar në ndeshjen e pestë, por do të shohim si do të shkojnë gjërat”.
Thomas iu bashkua Pejës në fillim të këtij viti, duke e ndihmuar që edicionin e rregullt ta përfundojë në pozitën e dytë në tabelë. Ai erdhi pas një serie të rezultateve të dobëta, ku krahas ndryshimeve në lojtarë u bënë edhe ndryshime në shtabin teknik. Trajneri Rami Hadar nga Izraeli erdhi për ta zëvendësuar turkun Can Sevim, me të cilin Peja e nisi edicionin.
Thomas po luan me mesatare prej 14 pikëve, 5 kërcimeve e po aq asistimeve për ndeshje dhe shpreson që me këtë formë të paraqitet edhe ndaj Trepçës. 30-vjeçari krahas Kosovës e Islandës karrierë ka bërë edhe në Meksikë, Letoni e Belgjikë.
“Kam fituar tituj në karrierën time, ndërsa i fundit është në vitin 2021 në Islandë. Kështu që jam maksimalisht i motivuar jo vetëm për të fituar çdo ndeshje, por edhe për ta synuar titullin e kampionit në secilën ekip që luaj”, ka thënë Thomas.
Ai me bindje të plotë insiston se Peja ka ekip për ta rikthyer titullin e kampionit pas një dekade. Thomas të dielën e shkuar pati rastin të fitojë trofe me Pejën, por ekipi nga Kosova u mposht në finalen e Ligës Ballkanike (BIBL) nga Hapoel Beer Sheva e Izraelit. Atij i vjen keq që nuk u shpall kampion i BIBL dhe për këtë arsye dëshiron që humbjen në finalen e kësaj gare ta kompensojë me triumf në Superligën e Kosovës.
“Definitivisht Peja ka ekip dhe grup të lojtarëve që mund ta fitojnë titullin e kampionit. Jo vetëm unë por të gjithë në ekip besojnë në një sukses të tillë, përfshirë edhe tifozët tanë që na përkrahin dhe motivojnë për të dhënë më të mirën në secilën ndeshje. Është koha që titulli të kthehet në Pejë dhe ne do ta bëjmë të pamundurën për ta realizuar këtë”, shtoi Thomas. “Prejse kam ardhur te Peja kam pasur vetëm një qëllim. Ta ndihmoj ekipin të shpallet kampion. Ky synim ka qenë edhe kur nuk isha pjesë e Pejës, pra prej fillimit të edicionit. Kështu që do të ishte diçka fantastike dhe ndjenjë e jashtëzakonshme ta shijojmë një sukses të tillë”.
Thomas vlerëson lart cilësinë në elitën e basketbollit kosovar si dhe atmosferën që krijohet nëpër palestra nga tifozët. Sipas tij, pasioni i tifozëve është shumë i madh, por shton se nganjëherë ata bëjnë disa veprime që nuk kanë vend në ndeshjet e basketbollit.
“Basketbolli në Kosovë ka pasion të madh, i cili tregohet në mënyra të ndryshme. Mund të them se ky pasion shkon përtej lojës së basketbollit dhe unë e respektoj këtë. Atmosfera në palestra është e veçantë, siç thashë me shumë pasion, por disa aktivitete ekstra që po ndodhin nganjëherë nga tifozët mendoj se nuk e kanë vendin në lojën e basketbollit që na bashkon të gjithëve. Megjithatë, bazuar në nivelin e pasionit, mund të përshtatem edhe me këtë”, ka deklaruar Thomas.
Basketbollisti amerikan pret përkrahje të madhe nga tifozët e Pejës në ndeshjen e dytë kundër Trepçës dhe po ashtu beson se do të tregohet një basketboll i nivelit të lartë. Ai është i bindur jo vetëm në fitoren e Pejës, por edhe për titullin e kampionit të Kosovës.