U konfirmua se më 4 maj, e mërkure, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, pritet të shënojë një rrjedhë tjetër, pasi që në Berlin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, do të takohen me ndërmjetësuesin e të Dërguarit të Posaçëm të Bllokut Europian për dialogun mes dy shteteve, Mirosllav Lajçak, shkruan Gazeta Enigma.
Dy liderët më të përfolur të ballkanit u ftuan nga kancelari gjerman Olaf Scholz, për një vizitë bilaterale në Berlin.
Nga Bashkimi Evropian ka pasur përpjekje të vazhdueshme sa i përket normalizimit të mardhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por që deri tani kanë rezultuar pa sukses.
Takimet do të realizohen ndaras, ku bisedimet me Kurtin dhe Vuçiç, do të jenë rreth koordinimit të mëtutjeshme në reagimin ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, marrëdhëniet politike e ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal.
Takimi gjithashtu do të shërbejë si mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Kurse i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, do të realizojë një takim të përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiç.
Blerim Latifi, njohësi i zhvillimeve politike në vend, në një prononcim për Gazeta Enigma, theksoi se ky takim nuk do të sjellë ndonjë rezultat pozitiv për Kosovën, sepse nuk duket se ka përgaditje dhe gadishmëri nga të dy palët për të hedhur ndonjë hap të rëndësishëm në procesin e dialogut.
“Nuk është realiste të presim ndonjë rezultat nga ky takimi i Kurtit dhe Vuçiqit në Berlin. Në horizont nuk duket se ka gadishmëri nga palët për të hedhur ndonjë hap të rëndësishëm në procesin e dialogut. Edhe pala ndërmjetësuese nuk ndodhet në situaten në të cilën do të mund të angazhohej më shumë në afrimin e qendrimeve të palëve”, u shpreh Latifi.
Sipas tij BE momentalisht është e fokusuar me luftën në Ukrainë, ku si pasojë qështja Kosovë-Serbi, nuk do të jetë primare.
“Bashkimi Europian dhe shtetet kryesore të tij jane duke u marrë 24 orë në ditë me luftën në Ukrainë dhe kjo e vendosë në plan të dytë çështjen Kosovë- Serbi”, shtoi Latifi.
“BE parasegjithash aktualisht është më shumë i interesuar për qetësi dhe stabilitet në Ballkanin perëndimor dhe mendoj se takimi i Berlinit më shumë është në funksion të këtij qëllimi”.
Sipas Latifit, kancelari gjerman është i fokusuar në ringjalljen e këtij dialogu.
“Natyrisht kancelari gjerman është i interesuar që dialogu Kosovë – Serbi të ringjallet dhe kjo përben edhe një qëllim tjetër të takimit në fjalë”, tja Latifi ndër të tjera.
Sa i takon procesit të dialogut, Lajçak ka paralajmëruar se më datën 13 maj do të presë në një takim të radhës kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, në kuadër të dialogut për çështje teknike./GAZETAENIGMA/