Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi thotë se edhe përkundër rritjes së numrit të rasteve me COVID gjendja në vend është stabile.
Madje sipas tij, vdekshmëria nga pandemia në vend është më e ulët në Evropë. Latifi ka bërë thirrje për vaksinim, ndonëse shprehet i kënaqur me menaxhimin e gjithë situatës nga ana e Qeverisë së Kosovës.
“Ne kemi diskutuar për gjendjen aktuale me COVID dhe kemi bërë konstatimin se edhe pse gjendja është jashtëzakonisht stabile në krahasim me vende të tjera ne kemi rritje të rasteve”.
“Këto raste nuk po shtohen edhe në mënyrë dramatike rritja e numrit të pacientëve nëpër spitale po megjithatë është shqetësuese se ne duhet të gjithë të vaksinohemi”.
“Ne kemi vdekshmërinë më të ulët në Evropë sa i përket vdekjeve nga COVID. Megjithatë jam i kënaqur sa i përket menaxhimit të pandemisë nga qeveria e Kosovës”, tha Latifi.
Të enjten Komiteti për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është paralajmëruar ashpërsimi i masave, pas rritjes së numrit të rasteve ditëve të fundit.
Vetëm gjatë 24 orëve 2 708 raste pozitive me Covid-19 janë konfirmuar nga IKShPK-ja, përderisa numri i rasteve aktive ka shkuar në 9 771.