LDK kërkon dorëheqjen e Ministres Nagavci

LDK kërkon dorëheqjen e Ministres Nagavci

Kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se LDK-ja kërkon që Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të dorëhiqet pas situatës së fundit të krijuar me tekstet shkollore.

Në konferencë për media, ajo tha se LDK-ja e do dorëheqjen e Nagavcit edhe për shkeljet sistematike të ligjeve, Kushtetutës dhe anarkisë së krijuar në arsim, dhe se siç tha ajo është hera e parë që fëmijët po mbesin pa tekste shkollore.

“Një ministre dhe një qeveri e tillë është e dëmshme për Kosovën, prandaj ikja e saj do të duhej të bëhej menjëherë. Sigurimi i teksteve shkollore dhe shpërndarja e tyre falas për nxënësit e nivelit të parë dhe të dytë është e paraparë me ligjin në fuqi, më saktë me Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Përveç paaftësisë së qeverisë për menaxhimin e kësaj situate, kjo qeveri me këtë vendim i ka ikur përgjegjësisë duke i ngarkuar prindërit dhe duke shkelur ligjin në fuqi”, tha Lushaku-Sadriu.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dje në konferencë për media bëri të ditur se MAShT po shqyrton mundësinë që prindërit t’u blejnë vetë fëmijë librat, dhe ata më pas të rimbursohen nga Ministria.

Një gjë e tillë shkaktoi reagime të shumta nga opozita, të cilët e quajtën si dështim të radhës të Qeverisë Kurti.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, tha se menjëherë kanë filluar ankesat dhe shqetësimet e prindërve, për shkak se kjo e “vështirëson situatën financiare”.

Ndërsa sot, është raportuar se pritet që MAShT-i t’i pres në takim sot përfaqësuesit e shtëpive botuese.

Related Articles