Legjendat në Rumani thurin lavde për Albion Rrahmanin

Legjendat në Rumani thurin lavde për Albion Rrahmanin

Legjendën e futbollit të Rumanisë, Gheorghe Hagi nuk e pengon aspak fakti që është trajner i skuadrës rumune Farul Constantas, për ta vlerësuar lart sulmuesin kosovar të skuadrës tjetër rumune Rapid Bukureshtit, Albion Rrahmani. Hagi beson se sulmuesit kosovar i duhet më shumë forcë, e cila është e vetmja gjë që i mungon, pasi, sipas tij, Rrahmani ka inteligjencë dhe shpejtësi shumë të mirë.

“Është shumë interesant. Unë mendoj se ai ka nevojë për më shumë forcë. Përndryshe, ai është i zgjuar, i shpejtë, i zoti. Një lojtar interesant. Nuk e them unë, ka folur në fushë. Për një lojtar që vjen dhe bën atë që ka bërë si lojtar i ri me moshë 23-vjeçare, në një kampionat të ri, është e qartë se mund të themi se ka lënë gjurmë. Ai lëviz mirë, sulmon portën dhe e ndien golin”, ka thënë Hagi për yllin e ri të Rapidit në një intervistë telefonike për “Fanatik”.

Rrahmani u transferua në verë nga Ballkani te skuadra e Rapidit për 600 mijë euro. Vlera e tij është rritur në 1.2 milionë euro. Përshtypje të mira për Rrahmanin ka edhe Adrian Ilie, ish-sulmues i Rumanisë dhe klubeve si Valencia, Galatasaray, Beshiktas dhe disa ekipeve të tjera evropiane. Ai ka thënë se Rrahmani është sulmuesi më i mirë i transferuar në Rumani në pesë vjetët e fundit.

“Rrahmani më duket shumë i mirë, i dobishëm për ekipin. Për momentin është sulmuesi më i mirë i ardhur në Rumani në pesë vjetët e fundit. Rapidi ka sjellë lojtar që bën dallimin. Në pesë vjetët e fundit mendoj se është lojtari më në formë, me cilësinë më të mirë në Superligë. Ai është një sulmues teknik, e njeh lojën dhe shënon gola. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Ilie.

Futbollisti nga Podujeva ka shënuar gjashtë gola ne po aq ndeshje të zhvilluara në elitën e futbollit të Rumanisë. Ai ka kontribuar edhe me dy asistime. Aktualisht Rrahmani është i grumbulluar me Kosovën për ndeshjen kundër Andorrës. Rrahmani pritet të luajë nga fillimi i takimit ndaj Andorrës të enjten mbrëma, në kuadër të Grupit I kualifikues për “Euro 2024”. Rrahmani pritet të jetë startues në mungesë të sulmuesit të suspenduar, Vedat Muriqi.

Related Articles