Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka dalë me një kërkesë për Gjykatën Speciale, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook Lekaj ka njoftuar që ka kërkuar nga Specialja që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të lejohet të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi.
“Të nderuar anëtarë të trupit gjykues të Dhomave të Specializuara, Me këtë letër, ju drejtohem në emër të parimeve themelore të drejtësisë, humanizmit dhe të drejtave universale të njeriut. Ish-Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, po përballet me një moment të dhimbshëm dhe personalisht të rëndë – ndarjen nga jeta të babait të tij, Haxhi Thaçi”, ka shkruar ai.
Lekaj tutje ka theksuar se kjo është një çështje humane dhe morale, duke argumentuar se Thaçi ka të drejtën themelore për t’i dhënë lamtumirën e fundit prindit të tij.
“Pavarësisht procesit gjyqësor në të cilin ndodhet, z. Thaçi mbetet një qytetar me të drejta të plota dhe ka të drejtën themelore që të marrë pjesë në ceremoninë mortore të prindit të tij. Kjo nuk është një çështje politike apo ligjore, por një çështje njerëzore, morale dhe e drejtpërdrejtë e respektimit të dinjitetit të njeriut”.
Lekaj kujton raste të ngjashme në të cilat gjykatat ndërkombëtare kanë treguar fleksibilitet dhe kërkon nga Gjykata Speciale që të tregojë ndjeshmëri dhe drejtësi në këtë rast.
“Ju bëj thirrje të merrni një vendim që pasqyron ndjeshmërinë dhe drejtësinë që kërkon kjo situatë. Në raste të ngjashme, gjykatat ndërkombëtare kanë treguar fleksibilitet dhe kanë lejuar individët të marrin pjesë në varrimet e familjarëve të tyre. Një veprim i tillë nuk do të cenonte procesin gjyqësor apo sigurinë e procedurës, pasi çdo masë e nevojshme mbikëqyrjeje mund të vendoset nga autoritetet përkatëse”, ka shkruar ai.
“Të privosh një njeri nga e drejta për të lamtumirën e fundit me prindin është një masë e ashpër dhe e pajustifikueshme. Prandaj, kërkoj me përulësi që të shqyrtoni me ndjeshmëri dhe urgjencë këtë kërkesë dhe të lejoni z. Hashim Thaçi të jetë pranë familjes së tij në këtë moment të vështirë. Drejtësia nuk është vetëm ndjekje dhe ndëshkim, por edhe njohje e humanizmit dhe e të drejtave bazë të njeriut”, thuhet në kërkesën e Pal Lekajt që i bëri Speciales. /Gazeta Enigma/