Liberalizimi i vizave, shtetet anëtare të UE-së të “pa bindura” tashmë po tregojnë pozitivitet në qëndrimet e tyre

Liberalizimi i vizave, shtetet anëtare të UE-së të “pa bindura” tashmë po tregojnë pozitivitet në qëndrimet e tyre

Paralajmërimet për liberalizim të vizave kanë ngjallur shpresa të mëdha se pritjes së gjatë të qytetarëve iu erdhi fundi, shkruan Gazeta Enigma.

Javët dhe muajt e ardhshëm pritet të jenë vendimtare për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, thonë burimet diplomatike në Bruksel.

Mirëpo, një paralajmërim të tillë e bëri edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili ka treguar se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave. Rohde është pyetur nga disa gazetarë nëse do të hiqen regjimet e vizave në fillim të vitit të ardhshëm, dhe ai u përgjigj se po mund të ndodhë.

Analisti për çështje ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka thënë për Gazetën Enigma se shtetet anëtare të UE-së të “pa bindura” apo “skeptike” tashmë përmes deklarimeve po tregojnë një pozitivitet në qëndrimet e tyre.

Pula tha se qysh në virin 2018, Komisioni Europian propozi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, por sipas tij ishin disa shtete anëtarë themeluese të Unionit që nuk ishin të bindura se Kosova kishte bërë progres të mjaftueshëm e të qëndrueshëm.

“Qysh në vitin 2018, Komisioni Europian propozoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, por ishin disa shtete anëtare themeluese të Unionit që nuk ishin të bindura se Kosova kishte bërë progres të mjaftueshëm e të qëndrueshëm, në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar”, tha ai.

“Në raportime të ndryshme si nga ana e Komisionit dhe Parlamentit Europian, ishte konsideruar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, duke i bërë thirrje Këshillit Europian për të dhënë sinjalin Këshillit të Ministrave për të administruar procesin, por kjo, deri më tash nuk ka ndodhur e si rrjedhojë është prolonguar dhe e mbetur hapur çështja e mos liberalizimit”, theksoi Pula.

Analist për çështje ndërkombëtare.

Ai tutje thotë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave.              

“Republika e Kosovës që nga 2012-ta e këndej, përsa i përket kritereve të kërkuara për jetësim, ka përmbushur reformat strukturore ekonomike, ato të forcimit të shtetit të së drejtës, e edhe ato të përmirësimit të cilësisë në administratën publike; e të gjitha këto reforma janë thelbësore për heqjen e regjimit të vizave”, shtoi ai.

Mirëpo, sipas analistit Pula të përmendurit e dative nga ana jonë është gabim, mbase sipas tij jo për dëshirën por për mundësinë.

Pula theksoi se gjatë këtij viti janë dy samite të Unionit Europian, ku sipas tij mund të jetë pikë e rendit të ditës për shqyrtim dhe vendim-marrje nga ana e Këshillit Europian si timon drejtues i Unionit.

“Gjatë këtij viti, janë dy samite të Unionit Europian, të planifikuara i Tetorit dhe ai i Dhjetorit, ku potencialisht mund të jetë pikë e rendit të ditës për shqyrtim dhe vendim-marrje nga ana e Këshillit Europian si timon drejtues i Unionit, që mëpastaj procesin t’a administroj Këshilli i Ministrave të UE-së, e që do duhej pritur disa Muaj kohë deri në mundësinë e udhëtimeve brenda zonës Schengen pa viza”.

Qytetarët e Kosovës ende në “grila”, kush po e pengon?

Pula thotë se ajo që e ka mbajtur të zbeht bindjen e Këshillit Europian për të vendosur ka qenë ndërrimi i qeverive dhe ka munguar konsistenca politike për këtë çështje.

“E çfarë e ka mbajtur të zbehur bindjen e Këshillit Europian për të vendosur ka qenë që nga 2018-ta, kemi pasur ndrrime të qeverive dhe ka munguar konsistenca politike për këtë çështje, andaj, qeveria përmes dikastereve të saj përgjegjëse duhet të përpiqet të përdorë fuqinë e saj politike e diplomatike për t’u provuar shteteve anëtare të “pa bindura” se heqja e regjimit të vizave nuk përbën shqetësim për asnjë shtet anëtar nga qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Vlen të theksohet që në muajin maj, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon fajin për këtë ia hedh Francës dhe Holandës.

“Liberalizimi i vizave është ende i bllokuar nga një pakicë e vogël në Këshill – vetëm Franca dhe Holanda. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por edhe shumë problematike për besueshmërinë dhe pozitën e BE-së në rajon”, ka thënë Von Cramon për Gazetën Enigma.

Von Cramon tha se Kosova fatëkeqësisht mbetet i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa kaluar nëpër procedurën e komplikuar dhe të kushtueshme të marrjes së vizës.

Sipas saj, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat për liberalizim të vizave, duke konfirmuar se këto kërkesa ishin më të rrepta se për shumicën e shteteve të tjera.

Ndryshe, Komisioni Evropian dy herë ka rekomanduar që Kosovës t’i liberalizohen vizat në raportet e tij më 2016 dhe 2018, por një vendim i tillë s’është diskutuar asnjëherë në Këshillin e BE-së. /Gazeta Enigma/.

Related Articles