Ministria e Financave bashkë me atë të Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se sot do të ekzekutohen pagat e treta për sektorin publik sipas Ligjit për Paga që u votua në shkurt.
Bëhet e ditur se këto dy ministri po punojnë në evitimin e gabimeve dhe se pas përmirësimeve, të gjithë zyrtarët publik do ta marrin në mënyrë retroaktive diferencën për të gjithë muajt, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
“Gjatë këtij muaji, me prioritet, ekipet përgjegjëse kanë punuar në përfshirjen në sistem të pagave për (i) punonjësit që nuk u kanë dalë pagat në muajt e kaluar, (ii) punonjësit që janë rekrutuar/kanë lidhur kontratë me institucionet publike pas hyrjes në fuqi të Ligjit”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, këto dy ministri kanë bërë të ditur se kërkesat që shqyrtohen nga to kanë përafërsisht bazë si në shpjegimet që mund t’i gjeni më poshtë:
- Punonjës aktual që nuk u janë ekzekutuar pagat (në prioritet brenda muajit mars – pagat u paguhen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
- Punonjës të rinj që punësohen/lidhin kontratë pas hyrjes në fuqi të Ligjit (në prioritet brenda muajit mars);
- Punonjës të cilëve, pas hyrjes në fuqi të Ligjit, u është përcaktuar koeficient i gabuar në raport me koeficientin sipas sistemit të vjetër të pagave (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim–pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
- Punonjës të cilëve vet shtojca përkatëse e Ligjit u ka përcaktuar klasifikim të posaçëm, p.sh ekspertë sipas shtojcave të posaçme, specialistët, inspektorët, punonjësit në arsim, shëndetësi, art, kulturë e trashëgimi kulturore apo një fushë tjetër, (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim – pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
- Punonjës të cilët kanë kërkuar ndërrim klase, statusi apo kategorie nga çfarë janë aktualisht (kjo kategori mund të rishikohet vetëm pas miratimit të strukturës organizative përmes aktit që përmban klasat për secilin pozicion brenda strukturës. Institucionet obligohen sipas Vendimit të Qeverisë Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të përfundojnë miratimin e akteve normative që rregullojnë ndër të tjera, klasifikimin e vendeve të punës në kuadër të strukturave përkatëse).
- Arsye të tjera.