Lirohen nga akuzat Albulena Haxhiu, Pal Lekaj dhe të tjerët të akuzuar për gazin lotsjellës në Kuvend

Lirohen nga akuzat Albulena Haxhiu, Pal Lekaj dhe të tjerët të akuzuar për gazin lotsjellës në Kuvend

Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu që akuzoheshin për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.



Ata janë liruar nga akuzat në mungesë të provave.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjykatësja Fatime Dërmaku, e cila tha se në mungesë të provave, të akuzuarit lirohen nga akuzat.

Sipas kryetares së trupit gjykues, nga administrimi i provave materiale, konkretisht vërtetimi mbi kthimin e sendeve, dokumentacioni dhe vërtetimi mbi sekuestrimin e sendeve, gjykata vlerëson se nuk mund të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprën penale, pasi që nuk ka asnjë ekspertizë që të mund të vërtetohej fakti se sendet e sekuestruara nuk mund të ishin armë në pajtim me ligjin për armët.

Gjithashtu, sipas gjykatëses, edhe nga vërtetimi mbi kthimin e sendit gjykata konsideron se po të ishin armë ashtu siç pretendon prokuroria, të njëjtat nuk do të ishin kthyer tek i pandehuri Lekaj.

Fillimisht, gjykatëse e këtij rasti ka qenë gjykatësja Naime Krasniqi – Jashanica, por pas kalimit të saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departament të Përgjithshëm, ky rast është gjykuar nga gjykatësja Fatime Dërmaku.

Sipas aktakuzës së ngritur me 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit po dyshohet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Related Articles