Lirohen nga paraburgimi dy nga të dyshuarit për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”

Lirohen nga paraburgimi dy nga të dyshuarit për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”

Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të dyshuar për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R., janë liruar nga masa e paraburgimit.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Me kërkesë të Prokurorisë, janë liruar nga masa e paraburgimit dy të dyshuarit, pasi kanë pushuar kushtet për caktimin e kësaj mase”, konfirmoi Gashi.

Kurse, mbrojtësja e Zakutit, avokatja Teuta Beka-Bunjaku, e kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi” tha se pasi Apeli ua kishte refuzuar ankesën, kishte dorëzuar parashtresë në Prokurori për ta marrë në pyetje të mbrojturin e saj, me arsyetimin se provat tregojnë se nuk është i përfshirë në rast.

“Po, është i vërtetë lajmi se e kanë liru klientin, ne kemi ba ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë për masën e paraburgimit, Apeli nuk e ka aprovu, mirëpo pas marrje në pyetje në Prokurori, unë e kam dorëzu një parashtresë në Prokurori për shkak se s’ka prova sepse janë video-incizimet publike të rastit, vendit të ngjarjes, faktikisht që nuk është i përfshirë në asnjë rast klienti im, as në pjesëmarrje në rrahje, as në ndonjë veprim inkriminues”, tha Beka-Bunjaku.

Avokatja Beka-Bunjaku tha se pasi është marrë në pyetje nga Prokuroria, i mbrojturi i saj Zakuti është liruar sot.

“Dhe e kam ba një kërkesë sipas Kodit të ri të Procedurës Penale, që kanë të drejtë me i rishiku shkresat e lëndës, mandej edhe për shkak që edhe pak e kam prek në pika të shkurta se s’ka të bëjë asgjë me rastin. Mandej, Prokuroria më ka njoftu për marrje në pyetje, marrja në pyetje ka qenë para… sot është e martë, të premten më duket është bërë marrja në pyetje në Prokurori, mandej sot veç e kanë liru, ama ende s’kam marrë ndonjë vendim prej gjykatës, kjo ndodhi pasdite dikur”, tha për “Betimi për Drejtësi” mbrojtësja e Zakutit.

Related Articles