Në rrugën në Bërnjak janë liruar të dyja korsitë për qarkullim, por nuk ka pasur largim të protestuesve. Po ashtu automjetet e tyre tashmë janë vetëm në skaje të rrugës.
Kurse në Jarinjë, serbët ende nuk kanë larguar një kamionë.
Serbët lokalë tash e dy javë kishin bllokuar rrugët me kamionë, duke pamundësuar kështu lëvizjen e automjeteve, e duke detyruar qytetarët të kalojnë në këmbë kufirin.
Megjithatë, rrugët pritet të lirohen sot, sipas marrëveshjes që është arritur para dy ditësh në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
Marrëveshja parasheh që serbët të largojnë bllokadat nga rrugët, e që në vendkalimet kufitare të vendosen ushtarët e KFOR-it, po ashtu nga marrëveshje është paraparë që të largohet edhe Njësia Speciale.