Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre mjekëve të Spitalit Rajonal të Prizrenit, të cilët u arrestuan për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale: trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, dhe manipulim me prova.
Pas parashtrimit të kërkesës së Prokurorisë, e cila fillimisht kërkoi masën e paraburgimit e më pas u tërhoq, gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj Fisnik Sinanit dhe Gazmend Sylejmanit, ndërsa ndaj Sami Reshitajt është caktuar masa e lajmërimit në stacion policor ndaj të pandehurit S.R.,
Masa e sigurisë do të vlejë nga data 27.06.2023 dhe mund të zgjasë deri më datë 27.07.2023.
Në njoftim thuhet se “Me datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë veprojnë haptazi në mënyrë të pakujdesshme si ekip i mjekëve me rastin e lindjes së fëmijës, derisa i është renduar dhe përkeqësuar gjendja e të dëmtuarës (pacientes), dhe e fëmijës, me ç ‘rast pasi kuptojnë për gjendjen e të dëmtuarës dhe fëmijës ekipi i mjekëve – të pandehurit intervenojnë me vonesë mirëpo fëmija i porsalindur nuk arrin të mbijetoj – vdesë.
Gjithashtu, më datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Prizren, në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë fshehin, ose e bëjnë të pashfrytëzueshëm, tërësisht sendin – provën kryesore me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të sendit në procedurë zyrtare, në atë mënyrë që pas lindjes, të pandehurit placentën e fetusit të fëmijës të posa lindur i cili ndërron jetë pas lindjes, me qëllim që të fshehin çështjen e të provuarit lidhur me shkakun e vdekjes së foshnjës këtë placentë nuk e regjistrojnë dhe identifikojnë dhe e vendosin së bashku duke e përzier me placentat tjera në vendin ku i ruajnë, nuk e dërgojnë në IML së bashku me trupin e pajetë të foshnjës i cili është dërguar në autopsi me urdhër të prokurorit, e cila provë është vendimtare për përcaktimin e shkakut të vdekjes.“
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Edhe në njoftim e gjykatës është konfirmuar tërheqja e Prokurorisë nga kërkesa për paraburgim.