Lirohet nga paraburgimi Agim Ademi

Lirohet nga paraburgimi Agim Ademi

Kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi është liruar nga mbajtja, pasi i njëjti ishte arrestuar nën dyshimet se ka sulmuar fizikisht një zyrtarë të FFK-së.

Burimet e Enigmës kanë bërë të ditur për lirimin e tij nga paraburgimi.

Kreu i futbollit kosovar u akuzuar për sulm fizik ndaj zyrtarit të këtij institucioni, Artan Govori, i cili dje pasi u sulmua nga eprori i tij, e kishte paraqitur rastin në polici.

Arrestimin e Ademit e kishte konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

“Prishtinë, 16.03.2022 – 13:30. Është raportuar se ka ndodhur një sulm fizik ku i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Nuk raportohet për të lënduar. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar”, thuhej në raportin e PK-së.

Govori ka qenë i ashpër në deklaratat ndaj Agim Ademit, teksa ka treguar se është kapur për fyti nga ai.

Kjo nuk është hera e parë që në FFK ndodhin incidente të tilla, e që protagonist e kanë vetë kreun e futbollit kosovar.

Agim Ademi, i cili po e kërkon edhe një mandat katërvjeçar në krye të FFK-së është dërguar për 48 orë në mbajtje me urdhër të prokurorit.

Ndërsa, pas këtij raportimi Ademi reagoi përmes një statusi në rrjetin e tij në Facebook duke i cilësuar të pa vërteta raportimet për sulmin fizik ndaj drejtorit për marrëdhënie me jashtë, Artan Govrani.

“Kjo është një tjetër e pavërtetë dhe një tjetër inskenim i atyre që po bëjnë në vazhdimësi shantazhe e gjëra të tilla me qëllim të dëmtimit të imazhit tim dhe njëkohësisht të Federatës, por edhe të procesit zgjedhor në FFK”, shkruan ai.

“Unë do të vazhdoj punën time me ndershmëri dhe nuk do të lejoj të bie pre e shantazhuesve që për qëllim kanë kapjen e FFK-së”, përfundon kryetari i FFK-së./Gazeta Enigma/

Related Articles