Liza Gashi mohon përfshirjen në rastin e financimit të OJQ-ve

Liza Gashi mohon përfshirjen në rastin e financimit të OJQ-ve

Ish-zëvendësministrja për Diasporë, Liza Gashi, ka reaguar ashpër ndaj disa raportimeve mediatike që e lidhin emrin e saj me rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj ministrit në detyrë për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka, dhe sekretarit të kësaj ministrie, Besim Kamberaj.

Në një deklaratë publike, Gashi ka theksuar se nuk është subjekt e as palë në asnjë proces gjyqësor që ka të bëjë me këtë çështje dhe ka akuzuar disa media për shpifje dhe tendencë për dëmtim të imazhit të saj personal dhe profesional.

“Sot, disa media dhe portale kanë publikuar lajme me tituj senzacionalistë, të pavërtetë dhe me përmbajtje shpifëse e fyese, duke përdorur emrin dhe fotografinë time në një të ashtuquajtur ‘skandal milionësh’”, thuhet në reagimin e Gashit.

Ajo sqaroi se që nga viti 2020 nuk ka ushtruar asnjë funksion apo rol në organizatën GERMIN dhe nuk ka qenë pjesë e ndonjë marrëveshjeje me Caritas-in Zviceran, në asnjë kapacitet.

Gashi ka kërkuar nga mediat që kanë publikuar informacione të pavërteta që të bëjnë demantimin e menjëhershëm dhe të kërkojnë falje publike. Ajo njoftoi gjithashtu se ka autorizuar avokatin e saj për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore në mbrojtje të dinjitetit dhe imazhit të saj.

“Jam thellësisht krenare për kontributin dhe përkushtimin tim në fuqizimin e lidhjeve me diasporën shqiptare”, përfundon reagimin e saj deputetja e LVV-së.

Related Articles