Akuzat për bllokim të seancës konstituive në Kuvendin e Kosovës, ishin ‘boomerang’ mes opozitës dhe partisë në pushtet, shkruan Gazeta Enigma.
Fajin s’po e pranon askush, e vendi po vazhdon të jetë pa Kuvend të konstituar, e me Qeveri në detyrë. Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka kritikuar opozitën të mërkurën duke thënë se u ‘rebeluan’ duke mos e votuar raportin e komisionit për verifikimin e mandateve’.
“Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike”, ka shkruar Kurti, pas dështimit të seancës kosntituive.
Ndonëse, nga opozita është kërkuar vetëm dorëheqja e Kurtit dhe ministrave nga pozitat aktuale, pastaj për të vazhduar të betohen si deputet.
Kjo pasi, në vitin 2022 Qeveria Kurti, e ka sjellë vetë ligjin për Qeverinë që e obligon kryeministrin dhe Qeverinë me jep dorëheqje para se të certifikohet rezultati i zgjedhjve.
Neni i Ligjit për Qeverinë e përcakton se ministri i zgjedhur deputet nuk mund ta mbajë pozitën as si ministër në detyrë.
E, një ditë pasi dështoi seanca konstituive në Kuvend, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thirrur të githë ekzekutivin në mbledhje.
Kurti, tha se sipas ligjit, pavarësisht dorëheqjes nga pozitat ekzekutive, mbeten “Qeveri kujdestare”.
Sipas tij, është kërkesë e opozitës ‘e pamatur për ta lënë shtëpinë pa Zot shtëpie”.
Por, çka thonë nga opozita për veprimet e fundit të Kurtit?
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, theksoi se partia e parë krijoi një ngërç politik, dhe e gjithëpërgegjësia bie mbi ta – për dështimin e seancës konstituive.
“Seanca konstituive e Kuvendit të Republikës në këtëlegjislaturë dështoi me verifikimin e vetëvetës, që I bie aktformal, meqë certifikimin legal dhe legjitim ia jep KQZ-ja. Nuk pritej që ky process të kalojë në ngërç politik, por, përgjegjësia e plotë bie mbi partinë e pare e cila ndërtoi një kurth ligjor, qënjhet si ligj për qeverinë”, tha Haziri për Enigmën.
Tutje, Haziri tha se nesër (e enjte) nëse LVV nuk ka planifikuar ndonjë krizë, ose mosardhje në seancën konstituive në Kuvend, gjithçka rikthehet në normalitet.
“Tani, pas 48 orëve, pra nesër, do të krijohet një rrethanë e re dhe besoj se do të mbyllet ky proces, pra, të hapet rruga e konstituimit të Kuvendit, Nëse s’ka të planifikuar krizë dhemosardhje në seancë nga ana e LVV-së, brenda 48 orëve besojqë gjithçka do t’I rikthehet një ‘normaliteti’”, përfundoi nënkryetari i LDK-së.
Kurse, nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, për daljen e ministrave dhe Kurtit në zyrë, pas dështimit të seancës konstituive – ka kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë dhe Presidentes.
Sipas tij, ata po dalin pa bazë ligjore në zyrat e tyre. Lekaj për Enigmën, potencoi se kjo Qeveri është pa mandat dhe “ministrat s’kanë më legjitimitet”.
“Kryeministri dhe ministrat kanë dhënë dorëheqje për t’u bërëdeputetë, por Kuvendi ende nuk është konstituar dhe ata s’kanëdhënë betimin. Pra, nuk janë më ministra, e ende nuk janë deputetë”, u shpreh ai.
Megjithatë, “po i shohim sërish në zyrat qeveritare, duke ushtruar funksione pa asnjë bazë ligjore. Kjo është uzurpim i pastër i pushtetit ekzekutiv!”, ka thënë Lekaj.
Tutje, Lekaj ka thënë se shteti nuk është pronë private për t’u keqpërdorur me siç ka thënë, “truqe politike”.
“Kërkojmë reagim urgjent nga Presidentja dhe Prokuroria. Shteti nuk është pronë private për t’u keqpërdorur me truqe politike. Qytetarët meritojnë ligj, jo hile”, është shprehur Lekaj.
Ligji e ndalon të mbash dy pozita, një në Kuvend e tjetrën në ekzekutiv Pas situatës së krijuar me dështimin e konstituimit të Kuvendit, Eugen Cakolli nga KDI sërish e ka sqaruar situatën në aspektin ligjor duke theksuar se “ligji ndalon që të jesh njëkohësisht edhe në Qeveri, edhe në Kuvend”.
Ai ka thënë se me “mandat të kryer” apo “në detyrë” – prapë është Qeveri.
“Një ministër nuk pushon së qeni ministër vetëm pse shkon për të dhënë betimin në Kuvend. Nëse je ende në Qeveri – në çfarëdo kapaciteti – je pjesë e pushtetit ekzekutiv. Të jesh “në detyrë” nuk do të thotë që je “ish-(krye)ministër. Do të thotë që nuk ke më mandat të plotë – por ke ende pushtet. E pikërisht për këtë arsye, ligji ndalon që të jesh njëkohësisht edhe në Qeveri, edhe në Kuvend. Sepse nuk mund t’i shërbesh dy pushteteve në të njëjtën kohë. Jo për arsye estetike, por për rend demokratik”, theksoi ai.
Tutje ai komentoi debatin që nisi pas dështimit të seancës konstituive, i cili sipas tij “është më shumë se interpretim i një neni”.
“Është provë e karakterit institucional dhe sjelljes politike të partisë në pushtet. Sepse kur një Kryeministër apo ministër vjen për të marrë mandatin si deputet pa dhënë dorëheqje formalisht, nuk kemi zbrazëti ligjore. Kemi një zgjedhje të qëllimshme për të shtyrë kufijtë e rregullit”, theksoi ai.
“Disa po thonë: “Po nëse të gjithë japin dorëheqje, kush e udhëheq shtetin?” Përgjigjja është e qartë dhe e nënkuptueshme: shtetin nuk e mbajnë individët apo emrat e përveçëm – e mban sistemi. Zëvendës(krye)ministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe administrata janë aty. Ka instrumente tranzicioni dhe ka mekanizma për të funksionuar përkohësisht. Ideja është që institucionet të zgjidhen sa më shpejt – jo që të kalkulohet e kundërta”.
Ai shtoi se “Në fund të fundit, nuk ka asnjë nen që thotë “ose qëndro në dy funksione, ose le shtetin pa qeverisje.” Ligji thotë thjesht – mos mbaj dy pushtete njëkohësisht”.
Ai thotë se kur dorëhiqesh nga ekzekutivi, atëherë s’ka më vend për të qëndruar në objekt, e lëre më për të nxjerrë udhëzime administrative, apo për të votuar borde. /Gazeta Enigma/