Më 13 qershor Izraeli ka kryer një sulm të madh ajror në Iran, duke ia goditur kompleksin bërthamor në Natanaz të shtetit iranian.
Ky konflikt i ri, pritet të ketë ndikim në rritje të çmimit të naftës në botë.
Por, edhe Kosova nuk do të shpëtoj pa u prekur nga kjo rritje.
Kryetari i shoqatës së naftarëve, Fadil Berjani, në një përgjigje për Gazetën Enigma, ka deklaruar se sektori i naftës do të ketë çrregullime pas sulmit izraelit në Iran.
Berjani potencoi se edhe në Kosovë pritet të ketë rritje të çmimit të naftës.
“Pas sulmit të Izraelit në Iran, do të kemi rritje të çmimit të naftës. Tash pas sulmit, në sektorin e naftës do të ketë çrregulime në glob, dhe kjo do të reflektoj edhe në Kosovë. Deri tani tek ne çmimet kanë qenë shumë stabile. Sot, në tregun kosovar çmimet përafërsisht janë Diesel 1.12 cent deri 1.22 cent dhe Benzina 1.13 cent deri në 1.22 cent”, tha Berjani për Gazetën Enigma.
Çmimet e naftës në disa bursa ndërkombëtare shënuan rritje për më shumë se 6 % të premten, duke e arritur nivelin më të lartë në gati pesë muaj, pasi Izraeli kreu sulme ndaj Iranit, duke i përshkallëzuar në masë dramatike tensionet në Lindjen e Mesme dhe duke i shtuar shqetësimet për pengesa ndaj dërgesave të karburanteve.
Çmimi i naftës së papërpunuar në bursën “Brent” u rrit për 6,66 % dhe shkoi në 73,96 dollarë për fuçi. Çmimi i naftës së papërpunuar në bursën “West Texas Intermediate” u rrit për 7,33 % dhe shkoi në 73,03 dollarë për fuçi.