Lufta në Lindjen e Mesme “godet” xhepin e qytetarëve në Kosovë

Lufta në Lindjen e Mesme “godet” xhepin e qytetarëve në Kosovë


Rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë të Iranit në zhvillimet e fundit ushtarake, ka nisur të reflektohet edhe në ekonominë e Kosovës.

Në Kosovë, e cila varet pothuajse tërësisht nga importi i derivateve të naftës, këto zhvillime globale kanë nisur të ndihen në pikat e karburanteve, shkruan Gazeta Enigma.

Brenda pak ditësh, çmimet e naftës dhe benzinës kanë shënuar rritje graduale, ndërsa operatorët paralajmërojnë se luhatjet mund të vazhdojnë nëse situata në Lindjen e Mesme përkeqësohet.

Tutje, çmimi i naftës në Kosovë është rritur për 3 deri në 10 centë, varësisht nga kompanitë që tregtojnë me naftë, pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Nga 1.15 deri në 1.35 euro sa kanë qenë, çmimet të hënën, më 2 mars, një ditë pasi Izraeli dhe SHBA-të sulmuan Iranin, pësuan rritje duke arritur nga 1.18 deri në 1.34 euro për litër.

Si pritet të ndikojnë tensionet në Iran në aspektin ekonomik në Kosovë?

Se konfliktet e tilla botërore ndikojnë në ekonominë e brishtë të Kosovës e thotë eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa.

“Rritja e tensioneve në Iran, në aspektin ekonomik, ndikon negativisht edhe në Kosovë, sepse ne jemi ekonomi e ndërvarur nga tregjet ndërkombëtare. Në këtë rast ndikon në mënyrë direkte dhe indirekte në rritjen e çmimeve të derivateve.Tek ne ndikon drejtpërdrejt, sepse rritet çmimi i derivateve, por edhe shpenzimet e transportit, doganës, taksave, tatimeve dhe shpenzimet e spediterit. Pasi plasohet në tregun vendor me një diferencë çmimi, sigurisht që rriten automatikisht edhe çmimet e derivateve”, përfundoi Bellaqa për Enigmën.

Tutje, eksperti theksoi se “autoritetet kompetente në Kosovë duhet të eliminojnë monopolin e brendshëm, në mënyrë që të mos ketë çmime monopoliste”, por çmime tregu.

Sipas tij, bizneset dhe familjet me të hyra të ulëta do të preken më shumë nga kjo rritje, gjë që do ta përkeqësojë gjendjen socio-ekonomike në Kosovë.

Ai shtoi se nafta, si artikull strategjik dhe bazik, është një komponent i rëndësishëm që ndikon edhe në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera bazike jetësore.

“Duke qenë se shumicën e këtyre produkteve nuk i prodhojmë, por i importojmë, rritja e çmimit të naftës ndikon në zinxhirin furnizues dhe rëndon më shumë kategoritë me të hyra të ulëta, si dhe bizneset, të cilat detyrohen të rrisin çmimet.Organet kompetente, si Autoriteti i Konkurrencës, duhet ta eliminojnë monopolin e brendshëm dhe të sigurojnë që të kemi çmime tregu, e jo çmime monopoliste”, përfundoi njohësi i çështjeve ekonomike për Gazetën Enigma.

A pritet të ketë ndikim të madh në rritjen e çmimit të naftës dhe deri në sa mund të rritet për litër në Kosovë?

Kryetari i Shoqatës së Naftarëve, Fadil Berjani, potencoi se ka gati tre muaj që çmimet e naftës në Kosovë kanë qenë stabile, por pas tensioneve në Iran ka pasur rritje të çmimit.

“Në Kosovë, çmimet përafërsisht sillen rreth: dizeli nga 1.23 euro deri në 1.35 euro, kurse benzina nga 1.24 euro deri në 1.34 euro. Për rreth tre muaj nuk ka pasur lëvizje të çmimeve, por lufta në Iran, rritja e tensioneve, rreziku për ndërprerje të prodhimit dhe zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, e cila është një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë, janë arsyet pse ka filluar kjo luhatje e çmimeve”, tha Berjani për Gazetën Enigma.

Berjani theksoi se çdo problem që ndodh në korridorin e Hormuzit reflektohet në tregjet globale dhe, rrjedhimisht, edhe në Kosovë.

“Këtë ngushticë e kanë kaluar qindra anije në ditë, por tani nuk kalojnë më shumë se 4 deri në 5 anije në ditë dhe ato me rrezikshmëri të madhe”, vazhdoi Berjani për Enigmën.

Ai deklaroi se në Kosovë ka mjaftueshëm derivate dhe se nuk ka vend për panik nga ana e qytetarëve.

“Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për panik, sepse derivate ka mjaftueshëm në shtetin tonë. Shpresojmë që të arrihet një marrëveshje paqeje dhe të stabilizohet tregu i naftës në të gjithë globin”, përfundoi Berjani për Enigmën.

Ndër të tjera, Gazeta Enigma i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nëse kanë ndërmarrë ndonjë hap konkret ndaj bizneseve që kanë rritur çmimet e naftës me pretekstin e luftës në Iran, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pasur përgjigje nga ana e tyre.

Në një reagim publik të hënën, nga MINTI deklaruan se “është duke e monitoruar me vigjilencë të shtuar rritjen e çmimit të derivateve të naftës nga operatorët ekonomikë, që merren me tregtimin e derivateve të naftës”.

MINTI njoftoi se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregu e ka intensifikuar mbikëqyrjen në sektorin e derivateve të naftës në të gjithë vendin, “për të mbrojtur konsumatorin, përmes inspektimeve të përditshme dhe të vazhdueshme në terren ndaj operatorëve ekonomikë”.

“Duke qenë se Kosova është vend importues i derivateve të naftës  dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në tregun vendor, por që këto lëvizje të çmimeve të derivateve të naftës duhet të jenë në përputhje me standardet e përcaktuara në bazë të Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

MINTI paralajmëron se “kjo mbikëqyrje do të vazhdojë në mënyrë intensive përgjatë ditëve në vijim, përmes inspektimeve në terren”.

“Në rast të luhatjeve të menjëhershme dhe të pajustifikuara të çmimeve nëpër pikat e tregtimit të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë do të vlerësojë në hollësi mundësinë e marrjes së Vendimit përmes të cilit vendoset rregullimi i çmimeve dhe caktohen masat e tjera mbrojtëse për produktet e naftës,  ku parashihet edhe mbikëqyrja e shtuar nga Dogana e Kosovës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, si dhe Administrata Tatimore e Kosovës”, thotë Ministria./Gazeta Enigma/

Related Articles