Mikrobiologu, Lul Raka, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka dhënë informacionet më të reja për variantin e ri të COVID-19, variantin Omikron, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Sipas Rakës varianti Omicron ka një numër jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve krahasuar me variantet e tjera, pra ky variant ka mbi 30 mutacione vetëm në proteinën xhembore.
Pra, këto proteina sipas tij janë çelësi i virusit për të depërtuar në qelizat e trupit tonë.
Çka është Omicroni?
Ndryshimet gjenetike janë dukuri normale në biologjinë e viruseve. Viruset, sa më shumë që kanë mundësinë të shumëzohen, aq më të mëdha do t’i kenë gjasat për të pësuar mutacione dhe për të krijuar variante të reja të tyre.
Në mesin e këtij muaji, në Bocuanë dhe Afrikën e Jugut u zbulua një variant i ri i koronavirusit, të cilin OBSH e emërtoi Omicron (ose varianti B.1.1.529). Ky variant u bë dominues në Afrikën e Jugut për një periudhë të shkurtër kohore.
Pse ka krijuar shqetësim?
Varianti Omicron ka një numër jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve krahasuar me variantet e mëparme – mbi 30 mutacione vetëm në proteinën xhembore. Këto proteina janë çelës i virusit për të hyrë në qelizat e trupit tonë dhe njëkohësisht janë shënjestra kryesore e përgatitjes së vaksinave kundër COVID-19.
Ndryshimet e tilla masive të virusit kanë ngritur shqetësime se sa mund të ndikojnë ato në përhapje, pasqyrën klinike dhe uljen e efikasitetit të vaksinave përmes mbrojtjes nga antitrupat. Megjithatë, në mbrojtjen ndaj virusit ndikim të rëndësishëm ka edhe imuniteti qelizor.
Varianti i ri ka nxjerrë në pah tri pyetje që kërkojnë përgjigje shumë të shpejtë:
– Sa është i transmetueshëm varianti i ri? A përhapet më shpejt sesa varianti delta?
– A ka pasqyrë më të rëndë klinike?
– A janë antitrupat pas vaksinimit efikas dhe sa është rreziku i reinfektimit?
Aktualisht, nuk kemi përgjigje të sakta për këto pyetje dhe ato kërkojnë të presim së paku edhe 2-3 javë.
Çka duhet të bëjmë?
VAKSINOHU! – Kushdo që nuk është vaksinuar ende, duhet të vaksinohet menjëherë. Duke u vaksinuar do të merrni linjën e parë të mbrojtjes kritike ndaj virusit dhe do të rritet imuniteti në popullatë. Rritja e sasive të përgjithshme të antitrupave (pas dozave të dyta dhe të treta përforcuese) mund të kompensojë mospërputhjen eventuale ndërmjet vaksinës dhe virusit.
Dozat përforcuese të vaksinave!
Të fillohet sa më shpejt me dhënien e dozave përforcuese në Kosovë, duke filluar prej grupeve më të rrezikuara.
Sipas ekspertëve shëndetësor, pra mbrojta më e mire nga varianti Omicron është vaksinimi me dozen përforcuese.
Rreth kësaj qështje infektologu, Hamdi Ramdani, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se mosmiratimi nga MSh për dhënjen e dozës së tretë është shqetësuese.
“Është mjaft brengosëse mos dhënia e miratimit nga MSh i dozës së tretë edhe për variantin Delta, por edhe për variantin Omikron, ku dihet se shumë vende edhe para zbulimit të këtij varianti kanë dhënë dhe japin tash sa kohë dozën shtesë ose përforcuese”, ka deklaruar ai.
Njëherit, Ramadani ka theksuar se vaksinimi me dozën e tretë është I rëndësishëm për mbrojtjen nga të gjitha variantet e sidomos tani nga variant i ri.
“Ministria e Shëndetësisë duhet sa më pare të filloj dhënjen e dozës së tretë për mbrojtjen nga të gjitha variantet, por sidomos nga ky I fundit ku të dhënat e paraqitura po tregojnë mundësi në depërtim të imunitetit më shumë se variantet e tjera, sepse ky variant ka shumë mutacione”, ka thënë Ramadani.
Infektologu Ramadani ka theksuar se “Kosova në këso raste gjithmon është e fundit, si për dhënjen e vaksinave, ku siq e dini vaksinimi në Kosovë ka filluar në mars të këtij viti nërsa në vendet tjera vaksinimi ka filluar vitin e kaluar”.
“Edhe vaksinat për fëmijët nga mosha 12 vjeç Kosova është e fundit në rajon dhe europë, edhe për dozën përforcuese është po prap e fundit”, ka përfunduar Ramadani.
Mikrobiologu, Lul Raka bënë thirrje që të zbatoni masat pa panikë
Reagimi në panikë do ta përkeqësojë gjendjen edhe tek popullata edhe tek vendimmarrësit.
Populli duhet t’i ZBATOJË masat parandaluese (distancimi social, mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura, shmangia e qëndrimit në ambiente të mbipopulluara, ajrosja e mjediseve të qendrimit ditor dhe larja e duarve).
Kurse vendimmarrësit duhet të fuqizojnë INSPEKTIMET e zbatimit të masave parandaluese dhe vendimeve në terren (përfshirë hyrjet në kufi), sidomos gjatë këtij muaji me festat e fundvitit.
NË NIVELIN GLOBAL, duhet t’u dërgohen vaksina atyre shteteve që kanë më së shumti nevojë.
Kompanitë që kanë prodhuar ARN-vaksina, brenda 2-3 muajsh mund të kenë variante të reja të vaksinave të drejtuara specifikisht kundër varianit të ri Omikron.
Pra, vendimi për aplikimin e dozës së tretë të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19 në Kosovë do të merret në kohën e duhur dhe bazuar në situatën epidemiologjike, kanë thënë për Gazetën ‘Enigma’, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.
Doza përforcuese e vaksinës është rekomanduar edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Kujtojmë, se Shqipëria tani më ka filluar me administrimin e dozës përforcuese, pra dhënjen e dozës së tretë të vaksinës anti-COVID.
Të hënën e 1 nëntorit ka filluar aplikimi i dozës së tretë të vaksinës anti-COVID. Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që vaksina përforcuese do të aplikohet për qytetarët të cilët janë mbi 60 vjeç dhe tek ata persona që kanë mbi 6 muaj nga marrja e dozës së dytë./Gazeta Enigma/