Lushtaku: Duam ta nisim edicionin me tri pikë kundër Gjilanit, Kupa dhe pjesa e epërme e tabelës janë prioriteti ynë

Lushtaku: Duam ta nisim edicionin me tri pikë kundër Gjilanit, Kupa dhe pjesa e epërme e tabelës janë prioriteti ynë

Drenica është ndër skuadrat më aktive në afatin kalimtar të verës duke sjellë në radhët e veta shumë futbollistë në mënyrë që të jenë sa më të gatshëm për edicionin e ri të garave në elitën e futbollit kosovar.

“Kuqezinjtë” krahas futbollistëve të rinj, kanë pësuar ndryshime nga kryesia e klubit e deri te trajneri.

Shef i shtabit teknik te Drenica është Tahir Lushtaku që e njeh mirë këtë skuadër, ngase edhe vitet e kaluara ishte pjesë e saj.

Lushtaku në një intervistë për Demokracia.com thotë se përkundër ndryshimeve në klub dhe ardhjeve të reja ata po mundohen të bëjnë një organizim në mënyrën më të mirë.

“Pavarësisht ndryshimeve që janë bërë në kryesi, shtab teknik dhe largimi i shumë futbollistëve dhe prurjeve të reja, ne jemi munduar të organizohemi si klub në mënyrën më të mirë të mundshme edhe pse ndoshta pak me vonesë por kemi arritë të konsolidohemi në gjitha aspektet. Koha ndoshta nuk ka qenë e mjaftueshme të përgatitemi, por ne kemi bërë përpjekje dhe kemi punuar maksimalisht dhe besoj që jemi të gatëshëm për fillimin e kampionatit”, deklaroi Lushtaku të enjten për Demokracia.com.

Skuadra nga “Bajram Aliu” ndeshjen hapëse të edicionin 2021/22 e zhvillon në shtëpinë e saj ndaj një rivali të vështirë siç është Gjilani i Ismet Munishit.

Lushtaku theksoi se e di forcën që kanë kundërshtarët, por ai është shprehur optimist se skuadra e tij do të dalë me tri pikë nga ai takim.

“Kemi një kundërshtar të fortë. Unë bashkë me stafin dhe futbollistët jemi optimist që do e kalojmë sfidën e parë ku të gjithë futbollistët besoj që do japin gjithçka nga vetja e ku nuk do mungojë motivi, dëshira dhe disiplina në lojë me arritë qëllimin e arkëtimit të tri pikëve kundër Gjilanit”, tregoi ai.

Lushtaku për fund ka zbuluar edhe prioritet e tij dhe skuadrës që ai drejton për edicionin që ka pak ditë nga fillimi.

“Ne jemi duke e ndërtuar filozofinë e lojës qysh e ka bërë Drenica para këtyre viteve paraprake. Loja e Drenicës e dimë që nuk ka qenë e mirë sidomos që një vit e gjysmë, por ne kemi arritë deri diku ta kthejmë atë atmosferën dhe harmonin në ekip dhe normalisht edhe lojën në mënyrën si do e aplikojmë këtë kampionat. Pritshmërit do i kemi që të jemi në pjesën e epërme në tabel dhe Kupën e Kosovës si gjithmonë. Ju garantojë tifozëve “Shqiponjat e Zeza” se do bëjmë ndeshje të mira dhe nuk do mungojnë rezultatet. Për fund uroj të jetë një kampionat i mbarë dhe i rregullt në gjitha aspektet si dhe të shkojë mirë edhe me sistemin VAR”, shtoi për fund trajneri kosovar.

Related Articles