Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se me shumë shqetësim kanë ngritur në nivel Kuvendi, debatin për çështjen e Arsimit si pasojë e pandemisë, raporton Gazeta Enigma.
Megjithatë, Lushtaku thotë se mazhoranca për fat të keq nuk votoi rekomandimet e opozitës.
”Ne si PDK e kemi ngritur me shqetësim në nivel Kuvendi, debatin për Arsimin, por fatkeqësisht mazhoranca nuk ka votuar rekomandimet e shumicës së deputetëve të opozitës”.
”Në përgjithësi ishte që në pjesën e Arsimit të ketë një shtim të kujdesit të theksuar, meqë dihet nuk janë marrë masat e duhura që mësimdhënia të mbahet më herët në tërësi”.
”Procesi i mësimit online ka shkaktuar sidomos tek gjeneratat e klasëve të para deri të treta, një zhgënjim në aspektin e arritshmërisë së kualitetit të duhur në mësimdhënie. Në këtë aspekt ne kemi ngritur shqetësimin që ato të kenë fokus të veçantë”.
”Mua më bën për të qeshur akuza për populizëm. Sepse ne si PDK akuzojmë Vetëvendosjen për këtë zakonisht. Kur është çështja nacionale, ne do ulemi të bashkëpunojmë edhe me pozitën në forma të ndryshme”.
Tutje Lushtaku deklaroi në Info Magazine, se e mirëpresin idenë e faljes së gjobave të shqiptuara ndaj qytetarëve në kohë të pandemisë, njofton Klan Kosova.
”Ne si parti, besojmë që në kuadër të faljes së gjobave, është për mirëseardhje sepse kemi shumë qytetarë që s’kanë mundësi me i pagu ato borxhe. Shteti duhet ta ketë edhe pjesën e mëshirës, jo vetëm të sanksionimit”.
Ndërkaq lidhur me qasjen karshi UÇK-së, të Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, deputeti i PDK-së, u shpreh se çdo mendim i tillë, dëmton shtetin e Kosovës.
Madje sipas tij të tilla qëndrime, janë edhe të kryeministrit kosovar Albin Kurtit.
”Një mbështetje do ta kisha edhe nga Eman Rrahmani, i LVV në këtë aspekt. Ministrja, Donika Gërvalla, së pari nuk prezanton vetveten, por qeverinë dhe shtetin e Kosovës, edhe sipas Kushtetutës. Dhe çdo mendim personal e dëmton shtetin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, duke fyer vlerat më sublime të këtij vendi, është e turpshme dhe jashtë çdo vlere për një diplomate”.
”Çdo qëndrim i saj është edhe qëndrim i z. Kurti”. /Gazeta Enigma/