Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e gatshme të takohet me presidenten, Vjosa Osmani për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend pas rekomandimit të IKShPKS-së për shtyerjen e zgjedhjeve lokale, shkruan Gazeta Enigma.
Kështu ka bërë të ditur Për Gazetën Enigma, Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
“Ne jemi të gatshëm si subjekt të takohemi me Presidenten kurdo që ajo na thërret”, tha ai.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të hënën ka ftuar në një takim konsultativ partitë politike për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.
Sipas letrës, drejtuar partive politike, ky takim do të mbahet konkretisht për të diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e zgjedhjeve në situatën epidemiologjike.
Këshilltari i presidentes, Bekim Kupina, ka thënë për Gazetën Enigma se në letrën drejtuar partive është bërë e qartë se për çfarë do të diskutohet.
“Do të jetë takim konsultativ për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend, kështu thuhet në letër dhe nuk kemi diçka më shumë. Aty nuk shkruan se do të diskutojnë për t’i shtyrë zgjedhjet. Rekomandimet i jep IKSHPK-ja, sa i përket rekomandimit mund të drejtoheni në IKSHPK. Na mbetet të presim se çfarë do të vendoset në këtë takim, çfarë rekomandime do të jepen nga IKSHPK”, tha Kupina.
Takimi do të mbahet të hënën, me fillimin nga ora 16:30 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, sot Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përmes një letre drejtuar presidentes Vjosa Osmani, ka rekomanduar që procesi zgjedhor të shtyhet për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.