A po tenton Osmani t’i shtyej zgjedhjet – flasin nga zyra e saj për Enigmën

A po tenton Osmani t’i shtyej zgjedhjet – flasin nga zyra e saj për Enigmën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për të hënën ka lajmruar se do të mbaj një takim konsultativ me partitë politike për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend, raporton Gazeta Enigma.

Sipas letrës, drejtuar partive politike, ky takim do të mbahet konkretisht për të diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e zgjedhjeve në situatën epidemiologjike.

Në lidhje me raportimet për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, Gazeta Enigma ka kontaktuar me Zyrën e Presidentes, të cilët kanë mohuar një gjë të tillë.

Këshilltari i presidentes, Bekim Kupina, ka thënë për Gazetën Enigma se në letrën drejtuar partive është bërë e qartë se për çfarë do të diskutohet.

“Do të jetë takim konsultativ për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend, kështu thuhet në letër dhe nuk kemi diçka më shumë. Aty nuk shkruan se do të diskutojnë për t’i shtyrë zgjedhjet. Rekomandimet i jep IKSHPK-ja, sa i përket rekomandimit mund të drejtoheni në IKSHPK. Na mbetet të presim se çfarë do të vendoset në këtë takim, çfarë rekomandime do të jepen nga IKSHPK”, tha Kupina.

Takimi do të mbahet të hënën, me fillimin nga ora 16:30 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Letra e Presidentes Osmani drejtuar partive politike:

I/e nderuar,

Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S., Vjosa Osmani- Sadriu ju fton në takim konsultativ për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

Takimi konsultativ do të mbahet të hënën, më 13 shtator 2021, në ora 16:30, në sallën C301, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me të mira,

ZPRK ./Gazeta Enigma/

Related Articles