Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë të ditur se do ta propozojë ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëherësh ish-kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, për kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Në një deklaratë publike, subjekti fitues i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 thekson se procesi zgjedhor, i cili erdhi pas një bllokade mbi dhjetëmujore institucionale, prodhoi “rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës”, duke e interpretuar atë si mesazh të qytetarëve kundër bllokimit të shtetit dhe në favor të funksionalizimit të institucioneve.
Sipas LVV-së, menjëherë pas certifikimit të rezultateve janë konstituuar Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa procesi i radhës mbetet zgjedhja e Presidentit, për të cilën kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Partia në pushtet njofton se, duke synuar një kandidat konsensual, ka ftuar disa herë në takim subjektet më të mëdha opozitare për të diskutuar emra të mundshëm rreth të cilëve do të mund të ndërtohej pajtueshmëri. Megjithatë, sipas deklaratës, nga opozita nuk ka pasur propozime konkrete, ndërsa janë refuzuar edhe emrat e ofruar nga LVV.
“Në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme”, thuhet në reagim.
Në këto rrethana, LVV konfirmon se do të procedojë me kandidaturën e Konjufcës, duke theksuar përvojën e tij si deputet në shtatë legjislatura dhe si një nga figurat më të votuara në vend.
Njëkohësisht, partia i ka bërë thirrje sërish subjekteve opozitare që të propozojnë kandidatët e tyre për postin e Presidentit, duke ofruar edhe mbështetje me nënshkrime nga grupi parlamentar i LVV-së, nëse do të jetë e nevojshme për formalizimin e kandidaturave.
