“Manipulim me prova” – IPK arreston katër zyrtarë policorë

“Manipulim me prova” – IPK arreston katër zyrtarë policorë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes hetuesve të Departamentit të Hetimeve, ka arrestuar sot katër zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “manipulim me prova”.

Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se më 13 shtator 2025, zyrtarët nuk kanë proceduar një rast penal në lidhje me “Shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm” dhe kanë fshehur, si dhe manipuluar provat e gjetura në vendin e ngjarjes.

Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

“Si pjesë e procedurave administrative IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës – Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Jug  edhe suspendimin për  katër të dyshuarit të cilët kanë qenë me detyrë në Stacionin Policor në Mitrovicën e Jugut.

Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.”, thuhet në njoftim.

Related Articles