Mantelbardhët ultimatum Qeverisë, nuk stepen nga greva pa u plotësuar kërkesat e tyre

Mantelbardhët ultimatum Qeverisë, nuk stepen nga greva pa u plotësuar kërkesat e tyre

Që nga ora 7:00 e mëngjesit të së enjtes, shumica e qendrave mjekësore në Kosovë nuk pranojnë t’i shërbejnë pacientëve, përpos në raste emergjente, shkruan Gazeta “Enigma”.

Deri tek kjo grevë erdhi për shkak se tash e disa muaj, punëtorët shëndetësor janë shprehur të pakënaqur, pasi kërkesat e tyre nuk janë përfshirë në Ligjin e Pagave nga ekzekutivi.

Me këtë rast, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla ka konfirmuar për Gazetën “Enigma”, se  punëtorët shëndetësorë në 43 qendra shëndetësore kanë hyrë në grevë, dhe kështu do të vazhdojnë deri në orën 15:00.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë me veprime të njëjta derisa të mos plotësohen kërkesat tyre.

“Pacientëve ju kërkoj falje që Qeveria Kurti na shtini që për tetë orë të ndahemi nga ju. Greva do të vazhdojë edhe një orë e gjysmë. Në 43 qendra shëndetësore i janë përgjigj 100 për qind grevës. Për ne sindikalistët kjo është një arritje e madhe se po tregon një unitet sa i përket kërkesave tona. Sot janë pranuar të gjitha rastet emergjente. Sot kjo grevë është senzibilizu në mbarë Evropën”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se ky është paralajmërimi i fundit për Qeverinë “Kurti”. “Ne edhe njëherë po i dërgojmë një mesazh kryeministrit Kurti që sot nga ora 15:00 të filloj të mendoj. Le te jetë ky mesazhi i fundit për Qeverinë “Kurti”, të ulem dhe të bisedojmë. Mos na shtini me bë gjëra të tilla”, ka shtuar ai.

Tutje ai ka thënë se Federata sot ka marrë një përkrahje të madhe edhe nga ndërkombëtarët.

E nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, stafi shëndetësor kanë paralajmëruar se do të hyjnë në grevë edhe të enjten e ardhshme.

Ndërkaq, të njëjtën gjë sikur homologu i tij, e ka paralajmëruar, edhe kryesindikalisti i arsimit, Rrahman Jashari.

Nëse kërkesat e tyre nuk pranohen, Jashari ka theksuar se do të ketë edhe protesta e greva nga punonjësit e arsimit.

“Vendi para një krize sociale”

Ekonomisti, Safet Gërxhaliu për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se nevoja për miratimin Ligjt për Paga është imediate, porse sipas tij, përmbajtja e projektligjitligjit duhet të filtorohet para se të kaloj në Kuvend. 

“Është koha kur institucionet duhet të kenë një qasje më proaktive për faktin që jemi duke u sfiduar nga kriza botërore, dhe po e shohim që në botë por edhe në Kosovë, kemi një ngritje të çmimeve në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa pagat janë të ngrira është një dëm që po i shkaktohet aspektit social”, ka thënë ai.

“Dua të besoj që do të bëhet një dialog, dhe aty ky ka ngërçe të zgjidhen ato me qëllim që të mendohet më tepër për qytetarët dhe aspektin social në Kosovë”, shtoi ai.

Nëse ky ligj nuk miratohet, sipas Gërxhaliut vendi do të ndodhët para një trazire sociale.

“Është një diskrepancë mes çmimeve dhe realitetit dhe nuk duhet Kosova të hyjë në një situatë të rrezikshmërisë ku ndoshta trazirat sociale të kthehen në pikën fillestare. Deputetët e Parlamentit duhet të ngrihen mbi interesat e partive politike, të mendojnë për shtet dhe për qytetar, dhe të avancohet tutje ligji i pagave dhe të votohet në parlament sa më shpejt që është e mundur, duke kaluar në filtrat institucional që të jetë në funksion të shtetit dhe jo barrë e shtetit”, theksoi tutje ai.

Ndërkohë Kryeministri i vendit, Albin Kurti javën e kaluar iu përgjigj kritikave se nuk po e dërgon në Kuvend Projektligjin e pagave.

Kurti tha se nuk është e kollajshme të hartohet mirë dhe shpejt një projektligj i tillë dhe jemi duke u angazhuar për këtë gjë.

“Ne po përgatitemi që të kemi një Ligj për pagat, që me të vërtetë është ligj dhe që nuk bie ndesh me infrastrukturën legjislative, me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Përgjithësisht është besimi ynë se në një shtet e shoqëri, rritja e pagave kurrsesi nuk duhet të ndjek arbitraritetet politike të qeverive aktuale, por produktivitetin brenda rritjes ekonomike”, ka thënë ai /Gazeta Enigma.

Related Articles