Mantelbardhët shtesat e Qeverisë së Kosovës i konsiderojnë “lëmosh”

Mantelbardhët shtesat e Qeverisë së Kosovës i konsiderojnë “lëmosh”

Qeveria e Kosovës, të mërkurën e 25 gushtit, ka marrë vendim që të ndaj shtesa për tre muajt e ardhshëm, gusht, shtator dhe tetor, për stafin shëndetësor, shkruan Gazeta “Enigma”.

Mirëpo, shtesat që pritet të jenë 10 për qind e pagës bazë kanë “alarmuar” stafin shëndetësor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e fundit të Qeverisë ka thënë̈ se është̈ marr vendimi, që shuma shtesë që do të marrin punonjësit shëndetësorë për tre muajt e ardhshëm do të jetë jo më pak se 60 Euro.

Por, Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në një prononcim për Gazetën “Enigma”, vendimin e ekzekutivit e ka quajtur skandaloz.

“Vendimi i Qeverisë ka qenë skandaloz, ma mirë mos me i pas nda hiç ato para”, ka thënë ai.

“Shuma prej 60 Euro, është ofenduese”, ka shtuar ai.

Edhe Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë, janë shprehur të pakënaqur me pagesën shtesë.

Nëpërmjet një reagimi, ata i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndryshoj këtë vendim.

“Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësorë është e indinjuar thellë me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndarjen e shtesave në vlerë prej 60 eurove për punonjësit shëndetësorë. Kjo shumë, pos tjerash është ofenduese për punonjësit shëndetësorë të cilët po punojnë në kushte shumë të rënda në përballje me virusin COVID-19” thuhet në njoftimin e tyre.

OIK ka kërkuar nga institucionet kosovare që të rishqyrtojnë shumën e shtesave dhe t’u ofrohen kushte më të mira të punës.

“Kemi punuar edhe pa pagesë në vitet e 90-ta, do të punojmë sërish pavarësisht shumës së shtesave”

Ndërkaq infermierja, Teuta Behluli, për Gazetën “Enigma” ka thënë se ajo së bashku me shumë mjekë të tjerë, kanë punuar  pa asnjë kompensim edhe në kohën e demonstratave të viteve të 80-ta dhe se do të vazhdojnë punën e tyre  gjatë gjithë kohës sa do të përballemi me pandemi.

“Unë si infermiere me 36 vite përvojë pune, bashkë me shumë të tjerë kemi kaluar nëpër shumë sfida, si greva e minatorëve, helmimet, dhe demostratat. Në këtë kohë  ku e gjithë bota po lufton me këtë pandemi, gjegjësisht ku numri i të infektuarve në Kosovë është mbi 2000, ne si staf do të vazhdojmë të punojmë me tërë kapacitetin tonë, pavarësisht vendimeve jo korrekte të Qeverisë, sepse të gjithë ne kemi dhënë betimin e Hipokratit”, ka thënë Behluli.

Sipas saj rritja prej 60 euro e pagës shtesë,  është pak, për aq sa e meritojnë stafi mjekësore, e në veçanti ata te cilët drejtë për drejtë janë duke punuar me pacientë të infektuar me COVID-19.

Ajo ka shtuar se edhe në muajt e kaluar ua kanë ndaluar shtesat, por ata nuk e kanë ndalur punën asnjëherë.

Në lidhje me këtë kanë reaguar edhe nga Instituti për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’.

“Instituti për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’ fton Qeverinë e Republikës së Kosovës që ta rishqyrtojë vendimin për ndarjen e shtesës në vlerë prej 60 euro për punonjësit shëndetësorë të sektorit publik (profesionistët shëndetësorë dhe stafin mbështetës), për muajin gusht, shtator dhe tetor 2021”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas tyre, Qeveria ka marrë masa të mbështetjes joproporcionale në krahasim me punën dhe rrezikun që e bartin profesionistët shëndetësorë .

“Gjatë dy viteve të fundit, stafi shëndetësor ka përjetuar dhe vazhdon të përballet me presionin e madh për performancë në kushte të dobëta teknike për të siguruar të pakten një kujdes optimal të pacientëve. Konsiderojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që stafi shëndetësor të mbështetet financiarisht, në mënyrë që vullneti dhe puna e tyre të jenë tërësisht në mbrojtje të shëndetit publik për të gjithë qytetarët e Kosovës”, është thënë  në njoftimin e tyre.

Gjithashtu, punëtorët e Klinikës Infektive i kanë dërguar letër Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me vendimin për ndarjen e 60 eurove shtesa për ta.

“Stafi i Klinikës Infektive konsideron se vendimi i fundit për mbështetje financiare për tre muaj në vijim me nga 60 euro është vendim denigrues dhe fyes. Personeli shëndetësor dhe stafi mbështetës i Klinikës Infektive nuk ka nevojë për lëmoshë, por për përkrahje të duhur dhe të merituar nga Qeveria e Kosovës. Refuzojmë lëmoshën e Qeverisë së Kosovës dhe nën betimin e Hipokratit, do të vazhdojmë të luftojmë kundër COVID-19 me të gjitha forcat tona sepse pacienti ka qenë dhe vazhdon të mbetet i shenjtë”, thuhet në letër.

Ndryshe, ne vitin e kaluar, Qeveria Kurti 1, ka ndarë nga 300 euro shtesa në muaj për stafin shëndetësor, ndërsa për të njëjta, në nëntor të 2020-tes, Ministria e Shëndetësisë nën udhëheqjen e Armend Zemaj pati ekzekutuar pagë shtesë prej 250 euro.

Pagat mbështetëse për stafin shëndetësor janë ndarë deri në muajin maj të këtij viti.

/Gazeta “Enigma”/

Related Articles