Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur rreth memorandumit të bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, për të cilèn ka thënë se “ka për qëllim stabilitetin rajonal”, transmeton Gazeta Enigma.
Teksa ka folur rreth saj, Maqedonci theksoi se “qëllimi i kësaj marrëveshje nuk është për të sulmuar dikë”, por që sipas tij “kontribuon në stabilitetin e rajonit”.
Në një intervistë për TRT Wrld, Maqedonci ka deklaruar se çdo bashkëpunim në këtë fushë kontribuon në stabilitetin e rajonit.
“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje trepalëshe, mund të themi, ishte konkretisht për të pas, stabilitet rajonal, paqe dhe siguri. Nuk kemi pasur asnjëherë diskutime mes tre vendeve tona për të kërcënuar dikë në rajon, ideja kryesore e marrëveshjes trepalëshe është për të ndërtuar sigurinë, stabilitetin dhe paqen në këtë pjesë të botës dhe ne e dimë se Ballkani shumë herë ka qenë arenë konfliktesh dhe shumë tensionesh. Dhe të kesh këtë bashkëpunim, po kontribuon në paqe dhe siguri”, ka thënë ai, duke e kritikuar qasjen e Serbisë në raport me këtë marrëveshje.
“Problemi me Serbinë është se ajo vazhdon ta ketë qasjen hegjemoniste ndaj vendeve të tjerëve që kanë bashkëpunim të mirë, i bën ato vende të ndihen të kërcënuar dhe gjithashtu kur e shohin se ka stabilitet ose ekuiliber të balancuar midis vendeve në Ballkan”, është shprehur ministri Maqedonci.