Masat e reja antiCOVID pritet të miratohen sot nga Qeveria dhe të hyjnë në fuqi që nga nesër

Masat e reja antiCOVID pritet të miratohen sot nga Qeveria dhe të hyjnë në fuqi që nga nesër

Qeveria e Kosovës është duke e mbajtur mbledhjen, teksa diskutojnë për rishqyrtimin e masave të reja antiCOVID, kjo pas rritjes së rasteve të reja me virus.

Propozimet e Ministrisë së Shëndetësisë pritet që të miratohen sot në Qeveri, ndërkaq të hyjnë të shtunën.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili tha për Gazetën “Enigma” se ministria ka dërguar propozimet për masa në qeveri.

“Propozimet për masa janë të njëjta. Janë dërguar në Qeveria, mirëpo, në rast se qeveria i miraton, hyjnë në fuqi që nga nesër”, ka thënë Hoti.

Masat e reja përfshijnë kufizimin e lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 05:00, ndërsa edhe veprimtaria e gastronomisë do të lejohet të zhvillohet deri në orën 21:00.

Ndryshe, një ditë më parë është mbajtur mbledhja e Komitetit për Koordinim dhe Vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 në Kosovë.

Në takim është diskutuar për ndryshimin e masave antiCOVID, pasi gjatë këtyre ditëve ka pasur numër të lartë të personave të infektuar.

Pas takimit, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka deklaruar se janë duke biseduar për masa të reja kufizuese, ku po shqyrtohet mbyllja e lokaleve në ora 22:00.

“Do të ketë ndryshim të masave. Do të jenë në balancim me mbajtjen e shkollave hapur, ekonomisë hapur. Secili duhet të vaksinohet, kemi vaksina mjaftueshëm, është më rëndësi që të gjithë të vaksinohemi. Është shumë e mundshme që lokalet të mbyllen në ora 22:00. Ne sot do t’i dërgojmë në Qeveri propozimet”, theksoi ministri Latifi.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat antiCOVID, duke njoftuar se varianti Omicron i coronavirusit tanimë është bërë variant dominues në qarkullim. /Gazeta Enigma/.

Related Articles