MASHTI me rezerva rreth rezultateve në “PISA 2022”

MASHTI me rezerva rreth rezultateve në “PISA 2022”
Për herën e tretë, Kosova në vitin e ardhshëm do të marrë pjesë në testin ndërkombëtar PISA.
Në Ministrinë e Arsimit janë shprehur me rezerva rreth rezultateve të mundshme të 15-vjeçarëve të përzgjedhur për këtë test. Si arsye janë përmendur edhe çrregullimet në procesin mësimor, shkaku i pandemisë.

Rezerva rreth pritjeve për rezultate të kënaqshme në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) të vitit 2022 kanë në Ministrinë e Arsimit.

Testi ndërkombëtar, në të cilin Kosova do të marrë pjesë për herë të tretë vitin e ardhshëm, i vlerëson njohuritë e pesëmbëdhjetëvjeçarëve në fushat e leximit, matematikës dhe shkencës.

Në testimin e 2022-s, nxënësit kosovarë do të marrin pjesë pas dy rezultateve të pakënaqshme në pjesëmarrjet e mëhershme, më 2015 dhe 2018.

Derisa nga MASHTI kanë nënkuptuar se nuk priten rezultate të kënaqshme as vitin e ardhshëm, Ministria këtë gjë e ka arsyetuar me ndikimin që pandemia e COVID-19 ka pasur në sistemin e arsimit. Ndërkaq, ka specifikuar se rezultatet do të jenë të dobishme për një aspekt.

“Është vështirë t’i përcaktojmë pritshmëritë, duke marrë parasysh faktin se për më shumë se një vit kemi pasur çrregullime të procesit mësimor, si pasojë e pandemisë. Megjithatë, me rëndësi është të shfrytëzohen rezultatet e testit që të identifikohen dobësitë në sistem dhe të merren masa adekuate”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, vlerësimet negative që kanë rezultuar nga testet e PISA-s gjatë viteve 2015 dhe 2018 e pasqyrojnë gjendjen momentale që mbizotëron në sistemin e arsimit.

Osmani ka thënë se ideja për mospjesëmarrje do ta nënkuptonte ikjen nga realiteti, ndërsa ka shtuar se një gjë e tillë nuk do të dallonte shumë nga dy vlerësimet e kaluara.

“Problemi me testin PISA është që ne mundohemi ta rrisim cilësinë në momentin e fundit, e kjo është e pamundur. Mendoj se duhet të ketë një qasje sistematike, një qasje konstruktive, rritje të buxhetit, përmirësim të kushteve infrastrukturore nëpër shkolla, përmirësim të shkathtësive të mësimdhënësve, integrim të inovacioneve të teknologjisë së informacionit”, ka deklaruar Osmani.

Ai ka kritikuar me këtë rast të gjitha qeveritë e pasluftës, duke theksuar se ato nuk e kanë pasur për prioritet arsimin. Me këtë rast, Osmani ka vënë theksin te buxheti që i është ndarë MASHTI-t ndër vite, për të cilin ai ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë i mjaftueshëm për t’iu përgjigjur nevojave të këtij dikasteri.

Lidhur me ndikimin e pandemisë në pilotimin e testit, MASHTI në një përgjigje për Kohën ka bërë të ditur se nuk ka hasur në vështirësi dhe se rreth 95 për qind e nxënësve të përzgjedhur kanë marrë pjesë, përcjellë Gazeta “Enigma”.

Nxënësit pjesëmarrës në testin pilotues nuk do të jenë të njëjtët që do t’i nënshtrohen testit përfundimtar, për shkak se përzgjedhja e tyre do të bëhet në shkurtin e vitit 2022.

Përzgjedhja e nxënësve bëhet në mënyrë rastësore, nëpërmjet një sistemi të përcaktuar nga PISA.

Testi PISA ishte paraparë që të mbahej sivjet, por për shkak të gjendjes me pandeminë COVID-19 është shtyrë për vitin 2022.

Dy herët e mëparshme kur Kosova kishte marrë pjesë në këtë test, ajo ishte renditur ndër vendet e fundit. Ishte renditur e 77-ta nga gjithsej 79 vendet pjesëmarrëse, duke i lënë prapa vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet./Gazeta “Enigma”/

Related Articles