Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se sot do të publikohet kalendari i rishikuar për këtë vit shkollor për 22 ditë të humbura të mësimit, si pasojë e grevës.
Ajo tha se “kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”.
Tutje, Nagavci tha se rezultatet në arsim do t’i përmirësojnë, teksa shtoi se bashkëpunimi e dialogu social do të vazhdojë, siç tha ajo, me parime e korrektësi, në interesin e fëmijëve.
Kujtojmë se dje, ishte zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ai i cili tha se të gjithë ata që kanë grevuar nuk do të paguhen.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, është shprehur Kryeziu për Klankosova.tv.