Mashtrimi i madh në Kosovë: 94 mijë euro u dhuruan për personin që nuk ‘ekziston’

Mashtrimi i madh në Kosovë: 94 mijë euro u dhuruan për personin që nuk ‘ekziston’

Një sinjal i vetëm për kërkim mjetesh në emër të Blerim Morinës ndezi rrjetin social Tik Tok. Për pak orë, në emër të tij u mblodhën hiç më pak se 94 mijë euro.

Vali Corleone, Fero, Nili B, Rasim Avdyli e figura të tjera të njohura në këtë rrjet social u vunë në krye të fushatës.

Agron Bajrami rastësisht e pa thirrjen në këtë rrjet social dhe vendosi t’i bashkohet nismës.

“Për rastin kom dëgju në Tiktok, se tash për momentin po e dini edhe vetë, në Tiktok po jemi më aktivë. Rastësisht më ka dalë aty që po mbledhin pare për qat Blerim Morinën, e kom pa te Vali Corleone, Fero, te qeky Arsimi edhe Naseri Bajreliu, e cili është po më duket në burg për momentin dhe ai u kon arsyeja se pse kam kontribu edhe unë”, tha për KIKS-in Bajrami.

Ai thotë se fillimisht i dha 100 euro, por kur pa që njerëzit po dhuronin më tepër, i dha edhe 100 të tjera.

“Se ata 24 orë më duket janë kon live, unë nuk jom kon 24 orë, por bukur gjatë e kom përcjell edhe unë se dojsha me ditë çka është puna edhe për 24 orë janë mbledh ato 100 mijë euro, 100 mijë po them, po vetëm në Go fund me, te ajo faqja 94 mijë, që jua kam dërgu linkun, prej 2 mijë donatorë, d.m.th prej krejt botës, çka kanë çu pare”, tha ai.

Por vetëm pas pak ditësh doli se e gjitha ishte një mashtrim i madh.

Persona publikë e media ranë në kurthin e Armend Morinës, i cili, përveç të tjerash, kishte hapur edhe llogari në njërën nga bankat kosovare.

Morina duket se kishte planifikuar gjithçka. Ai, përveç apeleve publike, u kishte shkruar edhe bizneseve të ndryshme, duke kërkuar para në emër të vëllait.

Por i sëmuri nga leukemia akute duket të mos jetë kuruar askund.

Kiks Kosova ka kontaktuar edhe Spitalin Rajonal të Mitrovicës, për të pyetur nëse Blerim Morina kishte kërkuar trajtim në këtë institucion, por ata, përmes telefonit, kanë theksuar se fakti që nuk kanë një sistem elektronik të menaxhimit, nuk mund të dinë nëse Morina kërkoi trajtim aty.

Por kanë theksuar se ky spital nuk ka repart për trajtimin e personave që vuajnë nga leukemia akute.

Blerim Morina nuk është trajtuar asnjëherë as në QKUK. Drejtori i Hematologjisë, Shemsedin Sadiku, i ka thënë KIKS Kosovës se në protokollet e këtij reparti nuk figuron emri i tij.

“Kemi shikuar protokolin e të sëmurëve për trajtim jashtë vendit për vitin 2022, por pacienti i cekur më lartë-Blerim Morina me Dg. Leukemi akute, nuk është gjetur se është dërguar nga Konzilium i Klinikës së Hematologjisë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Apeli për Blerimin u zhduk, e po ashtu edhe vëllai i tij, Armendi. Kiks Kosova ka provuar ta marrë në telefon disa herë, por pa sukses.

Megjithatë, një gjë e mirë ndodhi, Agroni i mori mbrapa 200 eurot e tij që i dha në Gofundme, pasi paypal ia ktheu mbrapa.

Kjo vërehet nëse krahasohen të dhënat në Gofundme, ku në fillim figuronte shifra 94 mijë e 787 euro, pastaj u bënë 93 mijë e 822, derisa të martën në orën 15:00, para të mbledhura nën këtë emër ishin 91 mijë 212.

Related Articles