Serbia ende nuk e ka bërë publike përmbajtjen e përgjigjes së KFOR-it ndaj kërkesës së saj për vendosjen e 1000 ushtarëve në Kosovë. Njëjtë ka vepruar edhe KFOR-i. E, në Prishtinë thonë se, po të ishte përgjigjja pozitive, Serbia do ta publikonte menjëherë.
KFOR-i i është përgjigjur kërkesës së Serbisë për t’i kthyer 1000 trupa të ushtrisë në Kosovë, por prej një dite përmbajtja i është mbajtur fshehtë publikut.
Atë nuk ia ka kumtuar ende popullit të tij presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e për të nuk kanë dhënë informacione as në misionin e NATO-s në Kosovë, përkundër insistimit të KOHËS gjatë së premtes dhe së shtunës.
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka deklaruar se për përgjigjen më së miri flet heshtja e Beogradit zyrtar.
“Serbisë nuk i ka pëlqyer përgjigja e KFOR-it! Përndryshe do të ngutej ta bënte publike”, ka thënë ajo.
Për përmbajtjen e përgjigjes kanë thënë të mos dinë as në Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë. KOHA ka kontaktuar me një numër zyrtarësh të saj dhe asnjëri nuk ka qenë në gjendje të ofrojë ndonjë informatë.
E në opozitë vlerësojnë se institucionet e Kosovës është dashur të jenë të informuara, në mënyrë që t’u tregojnë qytetarëve nëse KFOR-i ka dhënë ose jo leje për hyrjen e ushtrisë serbe.
“Unë mendoj që qytetarët e Kosovës duhet ta dinë përgjigjen e saktë të NATO-s se çfarë përgjigje ka dhënë. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të informuara për përgjigjen”, është shprehur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica.
Në Beograd kanë theksuar se përgjigjen, pozitive apo negative, çfarëdo që e ka dhënë KFOR-i, Vuçiq do ta kumtojë pasi të kthehet nga Greqia në Serbi, ku është duke qëndruar për Krishtlindjen ortodokse.