Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi tha se procesi i listave të veteranëve është keqpërdorur politikisht.
Ai thotë se problemi me listat e veteranëve ka qenë në fillim të procesit pasi sipas tij i është lejuar aplikimi kujtdo që ka dashur.
“Gjeneza e problemit është tek aplikimi. Aplikimi ka qenë i hapur për të gjithë dhe kanë aplikuar mbi 100 mijë persona për statusin e veteranit. Secili prej tyre ka pasur të drejtën të aplikojë. A kanë qenë apo jo veteranë ka qenë komisioni ai që ka verifikuar. Normalisht kur ka një volum kaq të madh prej 100 mijë aplikimeve, mund të jenë bërë edhe lëshime”, tha ai.
Selimi thotë se prokuroria ka dalë me një listë prej 20 mijë personave që i ka quajtur veteranë të rrejshëm.
“Prokuroria i ka bërë disa lëshime procedurale të cilat kanë diskredituar tërë procesin. Në këtë listë prej “20 mijë veteranëve të rrejshëm”, ka pasur edhe veteranë të vërtetë që unë i njoh personalisht të cilët nuk e meritojnë të jenë në listën e tillë sepse janë veteranë të UÇK-së, e meritojnë. Gabim i dytë ka qenë konfiskimi i dokumentacionit”, deklaroi tutje Selimi.