Mbi 34 mijë viza pune janë lëshuar nga ambasada Gjermane në Kosovë gjatë vitit 2021, derisa për këtë opozita lë fajtor kryeministrin, Albin Kurtin.
Nga opozita thonë se njerëzit janë të zhgënjyer me premtimet populliste të kryeministrit.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë në një përgjigje për RTV Dukagjinin thotë se gjatë vitit të kaluar janë lëshuar rreth 34 mijë viza për qytetarët e Kosovës.
Ky trend i kërkesës për viza po shihet me shqetësim nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
“Si PDK e konsiderojmë mjaft shqetësues faktin se të rinjtë tanë çdo ditë kërkojë viza për të shkuar në shtetet e Bashkimit Evropian. Por, kjo kërkesë është rritur për shkak të vështirësisë për të jetuar në Kosovë, rritjen e çmimeve të produkteve bazike, rritjen e energjisë elektrike, paga të ulëta e shumë faktorë tjerë”, ka deklaruar deputetja Ariana Musliu-Shoshi.
Edhe partia tjetër opozitare, fajtorë e konsiderojnë Qeverinë për largimin e të rinjve nga Kosova. Sipas Muhamet Hamitit, qytetarët e të gjitha profesioneve janë të zhgënjyer me qeverisjen e Albin Kurtit.
“Kemi raste të largimit të profesionistëve shëndetësor, inxhinierëve e të tjerë. Kemi një Qeveri që nuk ka program qeverisës, nuk ka program për zhvillim ekonomik dhe shoqërorë të Kosovës”, deklaroi Hamiti.
Derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se Qeveria nuk ka ndonjë strategji për të ndaluar këtë dukuri.
“Të rinjtë nuk e shohin më të ardhmen në Kosovë pasi e kanë të vështirë të sigurojnë të ardhura për një jetë solide. Jemi dëshmitarë se në kompanitë publike tashmë nuk mund të punësohesh nëse nuk je anëtarë i partisë në pushtet. Ministria e Jashtme dhe Kryeministri nuk kanë asnjë strategji që do të ndalonte këtë dukuri”.