Rreth 42 mijë qytetarë e braktisën Kosovën gjatë vitit 2022, shifër kjo e cila përbën 2.36% të popullsisë.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Statistikave, pjesa më e madhe e tyre u larguan me qëllim të bashkimit familjar, gjetjes së një vendi pune e studimeve afatgjata.
E jo të gjithë ata të cilët ua mësynë vendeve të huaja arritën në destinacionin e dëshiruar.
ASK-ja njoftoi se gjatë 2022-ës, mbi 5 mijë kosovarë u zunë duke hyrë ilegalisht në territorin e shteteve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Zonës Schengen.
Gjermania dhe Zvicra vazhdojnë të mbesin vendet më të lakmueshme për kosovarët. Në profilin e mërgimit të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, bëhet e ditur se gjysma e atyre që ikën nga Kosova, u kapën duke hyrë ilegalisht në këto dy shtete.
Trendi i emigrimit ilegal ka shënuar 14% rritje krahasuar me vitin 2021.
Të dhënat për vitin 2023 nuk janë publikuar ende nga institucionet apo agjencitë e pavarura shtetërore. Statistikat e plota për vitin që lamë pas, ASK-ja i publikon tek në fund të 2024-ës.