Brenda kësaj klinike po qëndronte prej ditësh, në pritje për t’u bërë nënë. Atë moment dhe asnjë tjetër s’arriti ta pres Hamide Magashi, e cila pabesisht u vra nga ish-burri i saj.
Brenda një institucioni publik e me një urdhërmbrojtje.
Këto s’mjaftuan që Sokol Halilit t’i pamundësohej të kryente veprën penale të vrasjes.
Kaq e pasigurt ishte edhe dhoma të cilën e ndante me bashkëshortin e saj Sadije Godeni.
Gjersa ishte në gjumë, ajo u godit me sëpatë nga bashkëshorti i saj, Izet Godeni.
Mësimdhënësja që kishte kontribuar mbi 20 vite në arsim, vdiq.
Hapësira e shtëpisë doli vdekjeprurëse edhe për Sahime Dumuzet nga fshati Kuk në Dragash.
Ndaj saj, po ushtrohej dhunë sistematike.
Këto veprime ishin të papërballueshme për të moshuarën e cila vdiq nga lëndimet që mori.
Brenda banesës ku bashkëjetonte me Dardan Krivaqën, u vra 19-vjeçarja Marigona Osmani. Për dy të akuzuarit nuk është shqiptuar akoma dënimi.
Fatkeqësisht, këto janë vetëm disa nga mbi 50 rastet e vrasjeve të grave që nga viti 2010 në Kosovë.
Diana Kastrati, Antigona Morina, Zejnepe Berisha, Donjeta Pajazitaj, Valbona Ndrecaj e vajza e saj, janë emrat e grave që përjetësisht gjëmojnë femicidin në Kosovë.
Rastet që përfundojnë me vrasje, paraprakisht janë viktima të dhunës në familje në vazhdimësi.
Mbi 2289 herë gratë raportuan në Policinë e Kosovës gjatë vitit 2022 se po keqtrajtoheshin fizikisht.
Ndërkaq gjatë vitit 2023, nga gjithsej 216 raste të dhunës në familje, 117 prej tyre gratë ishin viktima.