Mbi 51 mijë aplikime të aprovuara për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës deri tani

Mbi 51 mijë aplikime të aprovuara për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës deri tani

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Gazetën Enigma, bëri të ditur se periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës vazhdon dhe ka filluar më 29 gusht, duke përfunduar më 26 dhjetor 2024.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri më 20 dhjetor, 51,440 kërkesa janë aprovuar për regjistrim, ndërsa 3,388 janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së fotografisë së aplikuesve me dokumentin e identifikimit.

KQZ ka informuar individët e refuzuar dhe i ka udhëzuar ata për ri-aplikim.

“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. • Në bazë të të dhënave, deri më 20 dhjetor, në orën 16:00, pas aplikimit përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org janë aprovuar 51,440 kërkesa për regjistrim, ndërsa 3,388 janë refuzuar”, tha Elezi.

“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre si dhe për mundësinë e ri-aplikimit për regjistrim, duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, vazhdoi ai për Enigmën.

“Nga 51,440 aplikime të aprovuara, 12,631 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 8,005 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 30,804 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, u shpreh tutje Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar”, përfundoi zëdhënësi i KQZ-së./GazetaEnigma/

Related Articles