Mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare – a do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë?

Mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare – a do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë?

Rritja drastike e numrave të vdekjeve dhe të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë, ka bërë që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të anulojë vizitën e planifikuar për në Alpbach të Austrisë, vendim ky që është marrë për shkak të gjendjes me pandeminë në vend.

Kryeministri Kurti, ka thirrur mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës. Ende nuk dihet se çka do të diskutohet në këtë mbledhje, por ka mundësi që në këtë mbledhje të diskutohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Si shpallet gjendja e jashtëzakonshme sipas Kushtetutës së Kosovës?

Gjendja e jashtëzakonshme mund të kërkohet varësisht nga nevoja që lind prej situatave nga më të ndryshmet, si prej veprimit të armatosur kundër shtetit nga elemente të brendshme ose të jashtme, një fatkeqësie natyrore, një trazirë civile, një epidemie, një krize financiare apo ekonomike ose një greve të përgjithshme.

Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, sipas nenin 131, pika e parë, presidenti i Kosovës, mund të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në rast se ka nevojë për këto masa:

“Masa emergjente të mbrojtjes, rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike dhe në rast se ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Kosovës ose një pjesë të tij”, thuhet në nenin 131, pika e parë.

Ndërkaq, në pikën e dytë të nenit 131 thuhet se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, “Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk suspendohet”, kurse kufizimet mbi të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, “bëhen vetëm deri në shkallën e nevojshme, për sa më pak kohë që të jetë e nevojshme dhe në përputhje të plotë me këtë Kushtetutë”.

Siç theksohet në këtë nen, gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ligji për zgjedhjet e kuvendit dhe të komunave nuk mund të ndryshohet. Parimet e tjera për veprimet e institucioneve publike gjatë kësaj periudhe rregullohen me ligj, “por ato nuk duhet të jenë në shpërputhje me këtë nen”.

Pika e tretë e nenit 131 të Kushtetutës thotë se nëse paraqitet nevoja për marrjen e masave emergjente të mbrojtjes, presidenti i Kosovës, pas konsultimit me kryeministrin, shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.

“Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti i Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Brenda 48 orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i presidentit nuk ka forcë as efekt”, thuhet në nenin 131, pika tre.

Gjendja e Jashtëzakonshme zgjat për aq kohë sa vazhdon të kërcënojë rreziku dhe nuk mund të zgjatë më shumë se për një periudhë prej 60 ditësh.

“Me pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë, gjendja e jashtëzakonshme, nëse është e nevojshme, mund të zgjatet për periudha pasuese prej 30 ditësh, por jo më shumë se për 90 ditë shtesë”, thuhet në pikën pesë të nenit 131 të Kushtetutës së Kosovës.

Po ashtu, sipas pikës shtatë të po të njëjtit nen, thuhet se presidenti i Kosovës, pas konsultimit me qeverinë dhe kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në gjendjen e jashtëzakonshme.

Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, vetëm gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, “ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me gjendjen”.

“Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të drejtohet nga presidenti i Kosovës, sikur rregullohet me ligj. Po ashtu, Këshilli i Sigurisë së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtësisht me qeverinë, kuvendin dhe autoritetet ndërkombëtare”, thuhet në pikën e tetë të nenit 131.

Çfarë mendojnë njohësit e çështjeve të sigurisë, a duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme?

Njohësi çështje të sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për Albanian Post se Kosova duhet ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.

“Në gjendjen të cilën po kalon Kosova me numër të madh të viktima si pasojë e COVD-19, mund të themi që një vendim për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme është i domosdoshëm dhe i vonuar”, tha Shala.

“Sa i përket kësaj, legjislacioni është i qartë, fillimisht duhet të procedohet kërkesa nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Qeveria, e më pastaj të dërgohet në Kuvend dhe krejt në fund të nënshkruhet nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani”, tha ai për Albanian post.

Por, ish-ushtaraku Nuredin Ibishi, konsideron që masat anti-COVID duhet forcuar, mirëpo e sheh të pa nevojshme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

“Këshilli i Sigurisë Kombëtare duhet të mblidhet domosdoshmërish për të marrë masa të reja, por unë mendoj që duhet të ashpërsohen masat tjera rigoroze dhe të ashpërsohen edhe më shumë në disiplinimin e qytetarëve, por jo të shpallet gjendje e jashtëzakonshme sepse nuk është situata për këtë”, ka potencuar Ibishi.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mars të vitit të kaluar e kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, që vinte nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për shkak të “mospajtimeve rreth shpalljes apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme”.

Por, vetëm shtatë ditë më pas, më 25 mars, me 82 për, 32 kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës patën votuar pro mocionit të mosbesimit të qeverisë Kurti 1.

Shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së Coronavirusit e kishte kërkuar edhe ish- presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilën e pati mbështetur edhe LDK-ja. 

Related Articles