Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se institucionet në Prishtinë s’i kanë marrë vendimet e duhura pas dyshimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.
Për Hazirin, veçanërisht i çuditshëm është reagimi i presidentes, Vjosa Osmani, e cila i doli në mbrojtje Berishajt.
“Së pari e kanë mbrojtur veten. Ambasadorin Martin e kanë mbrojtur qytetarët që e njohin. Ky më shumë ka qenë përqafim. Përqafim i mafisë. Sepse ky skandal do të zbardhet. Do të hetohet nga Kroacia e pastaj nga Sllovenia e edhe Mali i Zi”, tha ai.
“Po shihet se paret s’kanë përfunduar në Slloveni por po hulumtohet rruga se ku kanë përfunduar paret dhe ka tërheqje përtej kësaj”, tha Haziri në T7.
Haziri tha se Berishaj do të duhej të kthehej në Kosovë.
“Përderisa nuk mbyllet rasti ose nuk dihet se çfarë ka ndodhur, ambasadori shërben brenda vendit dhe në njëfarë mënyre izolohet edhe ai lloj skandali”, shtoi ai.
“Kjo nuk ndodhi. Përkundrazi janë parë veprime të çuditshme në mbrojtje të rastit. Reagimi ka qenë për mua, jo i kryeministrit, në mbrojtje më shumë se i presidentes. Presidentja është garantuese e Kushtetutës, unitetit të popullit dhe garantuese në situata të tilla që me reagime të matura edhe garanton frymën kushtetuese dhe garanton qytetarët se nuk lejon skandale të tilla”, theksoi ai.