Policia e Kosovës ka zhvilluar ditën e sotme një operacion policor, ku ka rezultuar me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës, shkruan Enigma.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi njoftoi se komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë “Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit”.
Policia e Kosovës ndërkohë ka dhënë detaje shtesë rreth këtij operacioni, ku ka bërë të ditur se në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.
“Po ashtu Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishek me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë”, thuhet në njoftim.
“I tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për tu veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente.
Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, zbatimi vendimeve të institucioneve dhe ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase, si dhe ofrimi i sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, mbetet detyrë dhe përkushtim i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës”, u tha në njoftim.