Mbyllen postat ilegale serbe në veri, ndërkombëtarët nuk pajtohen me vendimin e Kosovës

Mbyllen postat ilegale serbe në veri, ndërkombëtarët nuk pajtohen me vendimin e Kosovës

Të hënën e 5 gushtit Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në veri të vendit ku ka bërë kontrolle në disa objekte të Postës së Serbisë, shkruan “Gazeta Enigma”.

Pas kontrollës nëntë nga to janë mbyllur pasi nuk kanë qenë të regjistruara dhe nuk ishin të licencuara.

Elshani ka njoftuar se tri objekte janë mbyllur në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok.

“Pas konsultimit me prokurorin nëntë nga to janë mbyllur. Zhvillimi biznesor ekonomik duhet të jetë i regjistruar, dhe të ketë licencë. Fjala është për posta të cilat kanë funksionuar në mënyrë ilegale deri më tani”, deklaroi Elshani

Tutje ai ka shtuar se “nuk ka pasur rezistencë. Dy persona të dehur në Leshak gjatë mbylljes së një lokali kanë ardhur janë afruar afër neve, duke marrë parasysh që janë të dehur janë shoqëruar në stacion të policisë në Leposaviq, konsiderohet prishje e rendit dhe e qetësisë publike”.

Ai tha se nisja e operacionit erdhi pas informacionit dhe kërkesës që kanë pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ku aty u njoftuan për zhvillimin e disa aktiviteteve ekonomike të disa bizneseve të palicensuara dhe të paregjistruara në veriun e vendit.

ARKEP: Posta e Serbisë ka vepruar në mënyrë ilegale në Kosovë

Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka reaguar pasi Policia e Kosovës mbylli 9 objekte të Postës së Serbisë në Kosovë.

Në një komunikatë për media, ARKEP ka bërë të ditur se Posta e Serbisë, ka vepruar në mënyrë ilegale në Kosovë.

“Autoritetit Rregullativ për komunikime Elektronike dhe Postare (tutje; Autoriteti ose ARKEP) sipas Ligjit Nr. 06/L-038 për shërbime postare, (tutje; LSHP) është përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e ofrimit të shërbimeve postare në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje ARKEP ka deklaruar se “Ligjin për shërbime postare, përkatësisht nenit 16 paragrafët 1 dhe 2, përcaktohen qartë kriteret për ofrimin e shërbimeve postare në Republikën e Kosovës.: Çdo person fizik ose juridik mund të ofrojë shërbime postare në Republikën e Kosovës, në përputhje me dispozitat e këtij ligji; si dhe ofrimi i shërbimeve postare në Republikën e Kosovës bëhet sipas autorizimit të lëshuar nga Autoriteti”.

“Në Republikën e Kosovës operojnë gjithsejtë njëzet e tetë (28) operator postar të autorizuar nga ARKEP, të cilët janë të regjistruar në regjistrin e operatoreve postar i cili është i publikuar në ueb faqen e Autoritetit, në linkun; https://www.arkep-rks.org/Page/54 “njofton ARKEP.

Lista Serbe thotë se ky veprim shkel marrëveshjet e 2015-tës

Lista Serbe ka reaguar pas aksionit të policisë kosovare për të mbyllur zyra të Postës së Serbisë të cilat operonin në veri të vendit.

“Ky veprim shkel marrëveshjet e arritura në Bruksel 2015 nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe në këtë mënyrë anulon të gjithë dialogun dhe trashëgiminë e tij dhe Bashkimi Evropian po dërmon autoritetin dhe reputacionin e tij të dobët që ka në sytë e populli serb”, ka shkruar Lista Serbe.

Për mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri reagojnë ndërkombëtarët

Bashkimi Evropian e ka quajtur të njëanshëm dhe të pakoordinuar vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës.

Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate.

BE-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut.

Blloku ka rikujtuar që në kuadër të marrëveshjeve të arritura për telekomunikacionin, më 2013 dhe 2015, dy palët janë pajtuar që për shërbimet postale të diskutohet “në një fazë të mëvonshme”, dhe kështu, sipas BE-së, është kuptuar që kjo çështje mund të adresohet vetëm përmes dialogut.

Ambasada e ShBA-së e zhgënjyer me veprimet e njëanshme të qeverisë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur thellësisht e zhgënjyer me veprimet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit.

Sipas ambasadës amerikane, këto veprime janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, e të cilat sipas tyre, i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

Më tej, ambasada e ShBA-së i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm “të njëanshëm” dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialog, për të zgjidhur, sipas tyre, çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Pas SHBA-së dhe BE-së edhe Gjermania kundër mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë në veri

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, përmes një postimi në platformën “X”, thotë se hapat e njëanshëm bien ndesh me marrëveshjet e arritur në dialog.

“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por edhe më keq, rrezikojnë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mbetet i mbërthyer në kuti (inbox)”, thotë mes tjerash ambasadori Rohde.

Kundërshtime për mbylljen e objekteve të Postës së Serbisë kanë pasur edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tyre, Qeveria e Kosovës po ndërmerr hapa të njëanshëm, dhe se këto çështje duhet diskutuar në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Sjelljet e Kurtit përpjekje për të shkaktuar konflikt të armatosur”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka konsideruar të turpshme thirrjen e Bashkimit Evropian që për çështjen e Bankës së Serbisë në Kosovë, të dialogohet në Bruksel.

Tutje ai ka pretenduar se sjelljet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, janë përpjekje për të shkaktuar konflikt të armatosur.

“Ne nuk duam luftë, duam të ruajmë paqen. Kurti po e bën këtë në mënyrë të qëllimshme dhe të organizuar, me mbështetjen e disa fuqive perëndimore”, ka thënë Vuçiq.

Kujtojmë se aksioni i Policisë u zhvillua për shkak se këto posta po operonin pa u regjistruar dhe pa u licensuar në autoritetet kosovare. /Gazeta Enigma/

Related Articles