Kreu i KQZ ILirjan Celibashi e deklaroi të mbyllur votimin, me përjashtim të ratseve ku në disa qendra votimi ka ende njerëz që presin të votojnë. Celibashi e cilësoi të rregullt procesin, në mbarë vendin.
Tirana dhe Dibra shënojnë pjesëmarrjen më të lartë në zgjedhje, ku kryeqyteti ka deri më tani 51.45 për qind të votuesve, ndërsa Dibra 51.53 për qind.
Ndërkohë votimi zyrtarisht përfundoi në 19:00. Qarku me pjesëmarrje më të ulët është Vlora me 33.25 për qind.
Deri në orën 18:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 45.40% në rang vendi. Janë 1920 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total.
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca doli në një konferencë për shtyp, në orën zyrtare të mbylljes së votimit, ku shprehu kënaqësinë e votimit masiv.
Soreca tha se ka takuar qytetarë të shumtë që shprehnin angazhimin e tyre, për të votuar.
Ai tha se edhe procesi duhet ndjekur me qetësi dhe durim dhe ftoi palët të kenë respekt për rezultatin në fund.