Mbyllet sezoni në Superligë: Drita në Evropë, Arbëria bie nga liga e Feronikeli në barazh

Mbyllet sezoni në Superligë: Drita në Evropë, Arbëria bie nga liga e Feronikeli në barazh

Drita i është bashkuar Prishtinës dhe Llapit në kualifikime për garat evropiane, ndërkohë që Arbëria i është bashkuar Besën për t’u kthyer në Ligën e Parë vetëm pas një sezoni në elitë, në ditën e fundit të sezonit 2020/21 në Superligë.

Sezoni 2020/21 në elitën e futbollit kosovar u mbyll të dielën me Prishtinën që e festoi titullin e parë të kampionit pas tetë vjetëve me humbje kundër Ballkanit, me Dritën që e siguroi një vend në kualifikime për Europa Conference League bashkë me Llapin si fitues i Kupës së Kosovës dhe me Arbërinë e Besën që ranë nga liga dhe Feronikelin që do të luajë në barazh për mbijetesë.

Kampionia Prishtina u mund 5:2 nga Ballkani në kryeqytet në ndeshjen e fundit, por kjo fitore nuk i mjaftoi dot klubit nga Suhareka për ta siguruar një vend në kualifikime për garat evropiane për herë të parë në historinë e klubit as këtë sezon.

Kjo sepse Drita e mundi Arbërinë, duke e mbyllur sezonin në vendin e dytë dhe duke e kthyer klubit nga Lipjan mbrapsht në Ligën e Parë – nivelin e dytë të futbollit në vend.

Ish-kampioni i Kosovës, Feronikeli u mund 1:0 nga Llapi dhe kjo bën që klubi nga Drenasi ta mbyllë sezonin në vendin e tetë në tabelë dhe do të përballet me Dukagjinin e Ligës së Parë në një ndeshje barazhi për një vend në Superligë sezonin e ardhshëm.

Në ndeshjet e tjera të ditës së fundit, Besa e mundi 1:0 Gjilanin, ndërsa Trepça ’89 e mundi 2:1 Drenicën duke shpëtuar nga rënia nga liga, raporton gazeta.express.

Related Articles