Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale do të fillojë më 23 korrik.
Gjatë periudhës 38 ditore (23 korrik – 29 gusht) të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës:
1. përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org, ose
2. përmes postës, duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Platforma elektronike për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës do të jetë e qasshme për regjistrim me fillimin e kësaj periudhe.
“KQZ-ja do të publikojë të gjitha shpjegimet për hapat që duhet të ndiqen për regjistrim përmes platformës apo përmes postës, si dhe informacionet për kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për regjistrim”, thuhet në njoftim.
Për dallim nga zgjedhjet e përgjithshme, në zgjedhjet lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh.
Ndërkaq, periudha e votimit përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor. Kjo periudhë do të vlejë vetëm për shtetasit që do të arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës.
Zgjedhjet lokale mbahen më 13 tetor.