Seria prej katër ndeshjeve pa fitore nuk e shqetëson trajnerin e Llapit, Tahir Batatina. Ai madje nuk e vë në dyshim triumfin në njërën prej garave të edicionit aktual.
Batatina të dielën për Kohën ka thënë se Llapi nuk do të mbetet pa trofe.
Llapi të shtunën pësoi disfatën e dytë rresht, ndërsa ka edhe dy barazime e një fitore në Superligën e Kosovës në futboll. Llapjanët i kanë luajtur pesë ndeshje.
“Kam besim te djemtë e skuadrës të cilët janë duke dhënë maksimumin, por ndoshta edhe pak deri të komponohemi si ekip. Shumë shpejt do të kthehemi në Llapin e viteve të fundit. U garantoj ‘Legjendave’ se pa trofe nuk do t’i lëmë as këtë edicion”, ka thënë Batatina.
Trajneri i Llapit insiston se nuk është i brengosur.
“Nuk më shqetëson kjo seri pa fitore, kemi ekip cilësor dhe do të jemi në mesin e tri ekipeve të para. Ka ende për t’u zhvilluar ndeshje”.
Llapi të shtunën humbi thellë, 4:0, nga Drita, ndërsa është mposhtur edhe nga Prishtina në Podujevë, 2:1.Ka barazuar 1:1 me Dukagjinin në Klinë dhe Trepçën ’89 në “Zahir Pajaziti” (2:2). Fitoren e vetme e arriti në Skenderaj kundër Drenicës me rezultatin minimal, 1:0.
Llapi nuk vlerësohet pretendues për trofe nga njohës të futbollit. Me këtë vlerësim nuk pajtohet Batatina.
“Shumë e kanë kritikuar Llapin edhe vitin e kaluar, por në fund ne fituam trofe. Janë vetëm tre trofe në Kosovë dhe Llapi para dy vjetësh i mori dy trofetë, ndërsa vitin e kaluar një. Ai që qesh në fund, qesh më së miri dhe besoj se ne sërish do të qeshim duke e arritur objektivin”, ka theksuar Batatina.
Llapi në dy edicionet e fundit ka fituar Kupën e Kosovës, ndërsa në ekipin llapjan synim është titulli i kampionit. Batatina nuk është dorëzuar në luftën për titull.
“Ne do të luajmë futboll dhe në fund të shohim se kush do të festojë në ‘Fadil Vokrri’. Do të luftojmë për titull të kampionit e po ashtu edhe për Kupë. Nuk është me rëndësi se a na shohin apo jo favoritë. Me rëndësi është të arrijmë të përmirësohemi dhe të shënojmë fitore. Në ndeshjen e fundit jemi dëmtuar, pasi është vlerësuar se nuk ka ekzistuar”, është shprehur Batatina.
Llapi në skuadër ka bërë disa ndryshime nga sezoni i kaluar. Në radhët e veta ka transferuar golashënuesin më të mirë të sezonit të kaluar, Gerhard Prognin. Ka bërë edhe disa përforcime tjera. Batatina pret që shpejtë të vijnë në shprehje edhe lojtarët e afruar gjatë verës së këtij viti.
“E kam menduar dhe planifikuar se ndryshimet e kanë edhe pjesën e rrezikut në skuadër. Por besoj shpejt do të kthehemi te rezultatet pozitive dhe Llapi di të rikthehet në momentet më vendimtare. Shumë skuadra ndoshta e kanë fillimin jo të mirë, por në fund triumfojnë. Këtë do ta bëjë edhe Llapi. Kemi bërë 3-4 ndryshime në ekipin bazë dhe me të marrë fitoren, do të jetë vështirë që të mposhtet Llapi”.
Llapi vlerësohet një prej klubeve më të organizuara në vitet e fundit. Me rregullimin e stadiumit “Zahir Pajaziti” te Llapi thonë se janë klub i kompletuar.
“Organizimi është në nivelin e duhur, skuadra po përmirësohet dhe besoj se në ndeshjet e ardhshme do të jemi të kompletuar, sepse mungesat që i kemi pasur ka qenë e vështirë të mbulohen plotësisht pasi edhe ardhjeve të reja u duhet edhe pak kohë për t’u komponuar me ekipin”, ka thënë Batatina.