Mediat serbe i kanë dhënë jehonë të madhe vendimit të UEFA-s që ndeshja mes Bjellorusisë dhe Zvicrës, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024, të zhvillohet në Serbi.
Ky vendim u mor për shkaqe politike pasi bjellorusët, si përkrahës të agresionit rus në Ukrainë, nuk do të mundë t’i zhvillojnë në territorin e tyre ndeshjet si vendës.
E shtëpia e futbollit evropian vendosi që bjellorusët të përballen me Zvicrën në Novi Sad më 25 mars të vitit 2023.
Kjo ka bërë që mediat serbe të shpërthejnë me shkrime, mbi të gjitha për dy futbollistët shqiptarë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të cilët ishin protagonistë dhe i eliminuan serbët në dy Botërorët e fundit.
“E konfirmuar. Provokatorët shqiptarë do të vijnë në Serbi. Xhaka dhe Shaqiri do të luajnë në Novi Sad në kualifikimet e Kampionatit Evropian”, ka shkruar mediumi serb “Kurir” sot.
“Dihet se sa shumë i tërbuan të gjithë në Serbi, Shaqiri, Xhaka e të tjerët për shkak të provokimeve, por edhe të rezultateve në dy përballjet e tyre, ku në të dyja herët zviceranët shkuan në fazën eliminatore të Kupës së Botës, kurse futbollistët tanë shkuan në shtëpi”, shkruan “Blic”, një tjetër medium serb.
“Kombëtarja zvicerane, me Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin, lojtarë që janë ‘persona të padëshiruar’ në Serbi, duhet të vijnë zyrtarisht në vendin tonë në mars 2023”, ka shkruar mediumi serb “Telegraf”.
Mediat tjera e kanë pasqyruar këtë lajm dhe kanë shkruar “më but”.
Kujtojmë se në Grupin I, bashkë me Zvicrën e Bjellorusinë bën pjesë edhe Kosova, krahas Andorrës, Izraelit dhe Rumanisë.